Tregu muzikor shqiptar ka gjithmonë hapësirë për emra të rinj që dinë të tërheqin vëmendjen, dhe Rora duket se e ka gjetur formulën e duhur për të mos kaluar pa u vënë re. Artistja e re bëri një hyrje të fuqishme para pak muajsh me projektin “Llafazan”, një bashkëpunim ky me Skerdin nën menaxhimin e labelit Agoos Music. Kënga u prit mjaft mirë nga publiku duke mbledhur qindra mijëra klikime në YouTube, por siç duket, pauzat e gjata nuk janë absolutisht në planet e saj për këtë vit.
Këtë të enjte, Rora do të publikojë këngën e saj më të re të titulluar “Pussycat”, duke provuar kështu veten si solo artiste në treg.
Përmes një postimi të fundit në llogarinë e saj në Instagram, ajo ka ndarë disa pamje nga prapaskenat e xhirimeve të klipit që flasin shumë për energjinë e këtij projekti të radhës.
E veshur tërësisht me detaje lëkure, me çizme të gjata dhe një pamje mjaft provokuese teksa mban një qen të madh në zinxhir, Rora paralajmëron se këtë herë po vjen me një imazh shumë më të guximshëm dhe “agresiv” se në debutimin e saj.
Duket qartë se Agoos Music po investon seriozisht në profilin e saj, duke i lënë hapësirën e nevojshme të eksperimentojë me stile të ndryshme vizuale dhe zanore për të gjetur identitetin e saj në showbizz. Mbetet për t’u parë nëse ky projekt i ri do të arrijë të kalojë suksesin e “Llafazan” dhe ta konfirmojë Rorën si një nga artistet e reja më premtuese të momentit. Presim të enjten për të parë çfarë ka gatuar dyshja këtë radhë. /Prive By Liberta Spahiu


