Mendoni se problemet në dhomën e gjumit janë një sfidë e rezervuar vetëm për moshat e thyera? Në fakt, nuk është kështu. Një rrëfim i fundit po bën xhiron e rrjetit dhe po thyen një nga tabutë më të mëdha, duke dëshmuar se stresi modern po ndikon ndjeshëm në jetën intime të djemve të rinj.

Gjithçka ka marrë shkas nga Alex, një analist të dhënash 28-vjeçar dhe pjesëmarrës i sezonit të ri të reality show-t Virgin Island në Channel 4. Ai ka dalë hapur dhe ka pranuar një të vërtetë personale: është ende i virgjër pikërisht për shkak të pamundësisë për të mbajtur një ereksion. “Paaftësia për të pasur një ereksion më rri vazhdimisht në mendje. Kjo është diçka me të cilën mendoja se përballen vetëm njerëzit e moshuar,” u shpreh djali i ri në emision, duke dëshmuar rëndesën emocionale të këtij problemi.
Por, mjekësia ka një shpjegim tjetër dhe është koha që të rinjtë të mbajnë shënime. Doktori dhe terapisti psikoseksual Benjamin Davis ka ndërhyrë për të sqaruar se fajtori kryesor për këtë fenomen të heshtur nuk është trupi, por mendja. Ai theksoi për median Metro se gjithçka nis nga pasiguria. “Shumë burra me probleme psikologjike të ereksionit kanë një zë të brendshëm kritik që aktivizohet kur bëjnë seks,” shpjegoi doktori. “Lidhet me turpin dhe ndjesinë ‘nuk jam mjaftueshëm i mirë’ ose ‘nuk jam i dashurueshëm’.”
Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë kur djemtë e rinj bëjnë krahasime me shoqërinë. “Të dëgjosh moshatarët e tu të flasin për përvojat e tyre, e amplifikon ndjesinë se diçka nuk shkon dhe mund të nxisë shmangien e seksit,” theksoi Davis. Sipas tij, zëri negativ bëhet edhe më mizor sepse truri po përpiqet të të “mbajë të sigurt” nga frika.
Kjo frikë dhe ky mbimendim rrisin menjëherë nivelet e adrenalinës dhe kortizolit. Në këtë formë, organizmi futet në modalitetin “lufto ose mbathja”, duke e dërguar gjakun me shpejtësi drejt zemrës për t’u mbrojtur nga ky rrezik imagjinar, në vend që ta dërgojë aty ku duhet vërtet.
Sipas ekspertit, një tjetër faktor rëndues është presioni i botës digjitale dhe pritshmëritë joreale. “Shumë burra mendojnë se duhet të bëjnë atë lloj seksi që kanë parë online në pornografi, por kjo nuk i eksiton vërtet,” shtoi doktori, duke u dhënë një goditje atyre që ngatërrojnë filmat me jetën reale. Këshilla e artë e tij për çdo djalë që po kalon këtë sfidë psikologjike është të gjejë një partnere me të cilën ndihet vërtet i sigurt dhe të fokusohet te ndjesitë e momentit, duke i bërë “mute” zërave nervozë në kokë. /Prive By Liberta Spahiu


