Avokati i njohur penalist, Saimir Vishaj, po kalon një tjetër moment të vështirë në jetën e tij. Vetëm një vit pasi u përball me një problem kritik shëndetësor, ai po kalon një tjetër sfidë të fortë personale: divorcin.
Në një status të gjatë të publikuar së fundmi në profilin e tij në Facebook, Vishaj ka bërë të ditur fundin e martesës, e cila tashmë është finalizuar zyrtarisht me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Me fjalë të ndjera, avokati shprehet se “vetmia u ul këmbëkryq” në shtëpinë e tij. Ai ka ngritur pretendime ndaj ish-bashkëshortes, duke u shprehur se largimi i saj ndodhi pikërisht në ditët e tij më të vështira. “Ja pra kjo është vetmia që kur të zënka një sëmundje, ish-gruaja ikën me vrap duke e lënë në vetmi atë që kishte 35 vite që bashkëjetonte,” ka shkruar Vishaj, duke lidhur kështu krisjen e raportit me sfidën e tij shëndetësore.

Rreth një vit më parë, avokati kaloi një situatë mjaft delikate, duke qëndruar për një muaj në gjendje kome në QSUT dhe në spitalin San Raffaele në Milano, pasi një organ jetësor pushoi së funksionuari duke i bllokuar oksigjenin trurit. Ai arriti ta kalonte këtë problem, por duket se pasojat e kësaj sfide kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e tij familjare.
Gjithsesi, vlen të theksohet se ky mbetet vetëm versioni publik i zotit Vishaj. Arsyet e plota që e çuan çiftin drejt dyerve të gjykatës mbeten ende të paqarta, pasi nga ana e ish-bashkëshortes nuk ka pasur asnjë reagim për të sqaruar anën e saj në këtë ndarje. /Prive By Liberta Spahiu


