Gazetari dhe gjysmëfinalisti i “Big Brother VIP Albania 5”, Shendrit Lumi, ka bërë disa komente gjatë një interviste në “Live from Tirana” me Ronaldo Sharkën. Sigurisht, vëmendjen e mori deklarata për ish-bashkëbanorin e tij, Mirin e “West Side Family”. Ndonëse ndanë të njëjtën shtëpi për dy muaj në formatin e njohur, ata nuk patën raporte të afërta, dhe kjo duket se po reflektohet edhe në qëndrimin e tij për rrugëtimin e grupit muzikor.
Teksa fliste për ta, gazetari e nisi duke i njohur meritat e dikurshme, duke theksuar se “West Side Family si grup, është grup i jashtëzakonshëm me muzikë që na kanë mbajtur gjallë shumë kohë”.
Megjithatë, sipas tij, pas ndarjes nga jeta të Dr. Florit, gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë.
Ai shpjegoi se humbja e Florit ka ndryshuar energjinë e këngëve dhe mënyrën se si publiku e percepton sot grupin. Duke shkuar më tej, Shendriti theksoi se koha rinovon tregun dhe sjell figura të reja.
Për të, të rinjtë nuk identifikohen më me ta: “Gjenerata e re nuk shkon më nëpër koncerte për të dëgjuar artistët e të shkuarës, Gen Z shkon me dëgju Kanye West, Travis Scott,” u shpreh ai gjatë bisedës në studio.
Sipas analizës së Shendritit, përpjekjet e tanishme të djemve janë më shumë një nostalgji.
Duke folur për përshtatjen e tyre me tregun e ri, ai e përmbylli komentin me një deklaratë të drejtpërdrejtë: “Këta mund të bëjnë muzikë për të ushqyer atë fan base që e kanë, por për të krijuar të rinj… e shoh pak problematike në aspektin e zhvillimit.”
Mbetet për t’u parë se si do t’i presë Miri këto fjalë nga ish-banori dhe nëse do të ketë një reagim publik nga ana e tij. /Prive By Liberta Spahiu


