Adioni dhe Ola, dyshja që u bë kryefjala e “Ferma VIP 3” për shkak të sfidave dhe pikëpyetjeve mbi raportin e tyre, duket se po jetojnë ditët më të bukura të romancës tani pas daljes nga programi.
Edhe pse brenda shtëpisë u duk se dashuria e tyre do të haste në pengesa, sidomos nga ana e familjarëve, veprimet e fundit tregojnë të kundërtën.
Çifti ka dëshmuar se lidhja e tyre është forcuar, duke kaluar nga tensionet e ekranit në një pranim të plotë e të ngrohtë në jetën reale.
Lajmi që ka vulosur këtë marrëdhënie erdhi përmes një komenti mjaft domethënës nga kunata e Olës, Reina, i cili i ka dhënë fund çdo dyshimi.
Reina ka reaguar në postimin e fundit të Adionit me emojit e një zogu dhe një peshku të bashkuar nga një zemër.
Ky reagim mbart një peshë të madhe emocionale dhe simbolike, pasi i referohet drejtpërdrejt pyetjes që vëllai i Olës i bëri asaj brenda në fermë:
“Në qoftë se një zog bie në dashuri me një peshk, cila është zgjidhja? Ku duhet të jetojnë ata?”.
Përmes këtij kodi familjar, Reina ka konfirmuar se familja e Olës jo vetëm që e ka pranuar Adionin, por e konsideron atë tashmë pjesë të tyren.
Ky miratim “me vulë” nga gruaja e vëllait të bukuroshes erdhi menjëherë pas vizitës që Adioni bëri gjatë ditës së djeshme në Malësi të Madhe, vendlindja e familjes së Olës.
Adioni ndau imazhe ku shihej i përqafuar me Olën, por edhe në momente mjaft të përzemërta me një nga burrat më të moshuar të familjes, duke treguar se akulli është shkrirë plotësisht.
Me komentin e Reinas dhe mikpritjen në Malësi, nuk ka më vend për dyshime: Adioni dhe Ola kanë marrë bekimin që u nevojitej për ta shijuar dashurinë e tyre pa asnjë rezervë. /Prive By Liberta Spahiu



