Babai i Eduart Kuçit, Arsim Kuçi, ka thyer heshtjen pas publikimit të videos ku djali i tij dhunohet fizikisht nga Jozefin Marku.
Në një prononcim të shkurtër për emisionin “Shqipëria Live”, ai ka përcjellë reagimin e parë zyrtar të familjes, duke u shprehur se e kanë përjetuar mjaft rëndë këtë ngjarje.
Arsim Kuçi theksoi se e kishte mbështetur të birin për të marrë pjesë në Top Channel që në fillimet e karrierës së tij, por kjo ngjarje e fundit i ka lënë të gjithë të shokuar dhe pa fjalë. Për këtë arsye, ai bëri me dije se aktualisht nuk është i gatshëm të japë intervista të gjata për mediat.
Përmes kësaj deklarate, ai shfrytëzoi rastin edhe për të sqaruar opinionin publik rreth disa shkrimeve që po qarkullojnë online. Kuçi nënvizoi se postimet apo deklaratat në rrjetet sociale që përdorin emrin e tij nuk janë bërë nga ai dhe as me iniciativën e tij, duke u distancuar plotësisht nga këto reagime jozyrtare.
Një gjë e tillë u raportua edhe ditë më parë nga Prive By Liberta Spahiu, nga persona pranë familjes Kuçi të cilat konfirmuan se Arsim Kuçi nuk ka bërë një reagim për Jozin dhe nuk ka paralajmëruar hakmarrje ndaj tij apo personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Deklarata e tij e plotë:
“Faleminderit për interesimin tuaj. Ju jemi mirënjohës. E kemi përjetuar shumë keq ngjarjen, sepse Shqipëria është vendi i shqiptarëve. Për këtë arsye kam lejuar djalin tim të marrë pjesë në Top Channel në fillimet e karrierës. Por nga ky rast jemi të shokuar dhe pa fjalë. Sa i përket asaj që postohet, dua të sqaroj se postimet që qarkullojnë nuk janë bërë nga unë dhe as me iniciativën time. Për momentin nuk jam i gatshëm të jem prezent në media, sepse nuk kam çfarë të them më shumë. me respekt, Arsim Kuçi”.


