Biznesmeni i njohur i gastronomisë në Kosovë, Petrit Kllokoqi, ka njoftuar përmes një postimi në Instagram se ka nisur zyrtarisht rrugëtimin drejt majës më të lartë në botë, Mount Everest.
Përmes një mesazhi emocionues, ai u shpreh falënderues për mbështetjen e madhe që ka marrë, duke theksuar se kjo sfidë nuk është vetëm personale, por edhe një mision krenarie për vendin.
Kllokoqi zbuloi se për të arritur në këtë pikë është stërvitur intensivisht për dy vite me radhë, duke u përgatitur për vështirësitë që mbart ky rrugëtim drejt pikës më të lartë të globit.
Ai u shpreh se secili niset për ëndrrën dhe krenarinë e vet, por edhe për vendin e tij, duke shtuar se shpreson që moti t’i përcjellë mirë dhe Zoti t’u falë shëndet e rrugë të mbarë.
Kllokoqi u tregua mjaft transparent me ndjekësit e tij, duke premtuar se do t’i informojë për çdo hap, madje edhe nëse fizikisht nuk do të mund të vazhdojë apo nëse kushtet atmosferike do ta detyrojnë të kthehet për të provuar përsëri në një moment tjetër.
Kujtojmë se vetëm një vit më parë ai pushtoi me sukses majën e Mont Blanc, ndërsa në këtë ekspeditë historike drejt Everestit ai po shoqërohet nga alpinistja e mirënjohur Uta Ibrahimi.
Uta është gruaja e parë shqiptare që ka arritur të ngjisë majën e Everestit në vitin 2017 dhe njihet si alpinistja më e suksesshme nga trojet tona, duke shërbyer si një ambasadore e natyrës dhe sporteve malore në mbarë botën.
Tashmë, i gjithë fokusi mbetet te rrugëtimi i tyre në Himalaje, me shpresën e madhe që flamuri i Kosovës të valëvitet sërish në 8,848 metra lartësi. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


