Të bisedosh dhe të shkëmbesh histori është pjesë e rëndësishme e çdo lidhjeje, por ka një dallim të madh mes të folurit dhe njohjes së vërtetë të dikujt. Mund të ndani këstet e kredisë, të përdorni të njëjtin kalendar në Google, e përsëri të keni kontinente të tëra të botës së brendshme të partnerit tuaj të paeksploruara.
Intimiteti i vërtetë nuk ndërtohet mbi logjistikën dhe bisedat e rastësishme; ai ndërtohet mbi kureshtjen.
Sipas autores dhe ekspertes së marrëdhënieve, Monica Berg, “Intimiteti është njohja e botës së tjetrit në detaje të mëdha, duke filluar nga fëmijëria e deri te përvojat aktuale. Kjo do të thotë që ju duhet ta njihni historinë e partnerit tuaj edhe para se ju të ishit pjesë e saj (përfshirë edhe ish-partnerët!).”
Sipas saj, ne duhet të mësojmë se çfarë i formësoi ata në njerëzit që janë sot dhe në personin me të cilin ramë në dashuri. “Në fillim të çdo lidhjeje, ne bëjmë shumë pyetje. Mos harroni të vazhdoni ta bëni këtë gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëdhënies suaj.”
Ky është një moment reflektimi për të gjithë: “fluturat në stomak” mund të zbehen me kohën, por pyetjet nuk duhet të ndalen kurrë.
Më poshtë po ndajmë 10 pyetje nga Monica Berg që ju nxjerrin nga territori i mërzitshëm i “Si kalove sot?” dhe ju dërgojnë atje ku jeton lidhja e vërtetë. Ruajini ato për mbrëmjen tuaj të ardhshme, për një udhëtim të gjatë me makinë ose për një të martë të zakonshme kur jeni mjaftueshëm guximtarë për t’u zhytur në bisedë.
10 pyetje që nxisin intimitetin:
Cila është ajo gjë që bëj unë që të bën të ndihesh menjëherë më afër meje?
Çfarë do të dëshironit të kuptoja për ty pa pasur nevojë të ma shpjegosh?
Kur ndihesh më i/e tërhequr pas meje (në sensin shpirtëror, jo vetëm fizik)?
Cila është ajo gjë me të cilën po mëson ende të më besosh?
Cili është një model (sjelljeje) që je krenar/e që e kemi thyer në lidhjen tonë?
Cila është ajo gjë e vogël që bëj unë që të bën të ndihesh i/e dashuruar?
Kur mendon se jemi në versionin tonë më të mirë si çift?
Për çfarë ke pasur më shumë nevojë nga unë kohët e fundit?
Cila është një mënyrë se si ne e sfidojmë njëri-tjetrin për të qenë njerëz më të mirë?
Çfarë vlerëson më shumë në jetën tonë së bashku pikërisht tani?
Nuk keni nevojë t’i bëni të gjitha këto pyetje brenda një nate. Qëllimi është të qëndroni kureshtarë, të vazhdoni të mësoni dhe të mbani mend se personi që keni përballë është ende duke u “shpalosur” para syve tuaj. /Prive By Liberta Spahiu


