Finalja e madhe e “Eurovision Song Contest” përmbylli një tjetër edicion plot performanca dhe emocione. Këtë vit, trofeu shkoi për Bullgarinë, e përfaqësuar nga këngëtarja Dara, e cila dhuroi një performancë të fuqishme me këngën “Bangaranga”, duke arritur të fitojë shumicën e votave në mbarë Evropën.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, me këngën “Nân” realizoi një performancë dinjitoze dhe u rendit në vendin e 13-të, duke grumbulluar në total 145 pikë. Në detajet e votimit të jurisë, vlerësimi më i lartë për vendin tonë erdhi nga gadishulli Iberik.
E vetmja juri profesioniste që e vlerësoi Shqipërinë me 12 pikët maksimale ishte ajo e Portugalisë, një detaj që dëshmon se vokali dhe performanca mund të vlerësohen edhe jashtë rretheve të zakonshme gjeografike apo fqinjësore.
Siç dihet, gjysma e rezultatit final përcaktohet nga juritë profesionale dhe gjysma tjetër nga televotimi i publikut. Pikërisht te votat e publikut shqiptar qëndron edhe një nga detajet më të diskutuara të mbrëmjes. Nga votimi në shtëpi, 12 pikët maksimale shkuan si zakonisht për Italinë. Dhjetë pikë i kaluan Izraelit, tetë Greqisë, shtatë Ukrainës, gjashtë Bullgarisë, pesë Rumanisë dhe katër Australisë.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e gjerë në rrjetet sociale është fakti që publiku shqiptar i dha plot tri pikë Serbisë teksa anëtarët e delegacionit serb provonin të mos linin gjurmë të flamurit të Kosovës në prapaskenat e spektaklit.
Në një histori të gjatë ku votimet shpesh udhëhiqen nga aleancat rajonale dhe e kaluara politike, ky veprim i papritur nga votuesit shqiptarë përbën një lëvizje jashtë parashikimeve të zakonshme. Kroacia dhe Finlanda mbyllën listën e televotimit shqiptar respektivisht me dy dhe një pikë, duke lënë pas një natë me material të mjaftueshëm për t’u diskutuar gjatë ditëve në vijim. /Prive By Liberta Spahiu



