U trumbetua si një ndër ngjarjet më madhështore për shqiptarët e diasporës në New York, por nata e parë e “United Festival Albania” duket se ka nisur me një atmosferë më të qetë sesa pritej. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një pjesëmarrje që, sipas ndjekësve, nuk ka përmbushur kapacitetin e premtuar të stadiumit, duke nxitur menjëherë një sërë diskutimesh online. Sipas komenteve të shumta nga publiku, një nga arsyet e mundshme të kësaj zbrazëtie mendohet të jenë çmimet e biletave. Këto të fundit janë konsideruar të larta nga një pjesë e mirë e njerëzve, duke nisur nga 120 dollarë për hyrjen standarde dhe duke arritur deri në 500 dollarë për zonën VIP.
Në qendër të këtyre komenteve është gjendur edhe promotori i eventit, Blerim Nika. I njohur kryesisht si krijues përmbajtjeje në rrjetet sociale, Nika ka reaguar personalisht ndaj kritikave, duke deklaruar se prania e rreth 3,000 personave në natën e parë përbën një rezultat pozitiv. Megjithatë, ky reagim nuk ka kaluar pa u vënë re nga ndjekësit, të cilët kanë vazhduar ta ironizojnë situatën, duke u shprehur me doza humori se pamjet vizuale nga stadiumi nuk përputhen plotësisht me shifrat e deklaruara. Krahas çmimeve, komentuesit kanë ngritur pikëpyetje edhe për detaje të tjera organizative, përfshirë këtu ankesat për mungesën e theksuar të përdorimit të gjuhës shqipe në promovimin e një festivali që mban epitetin “kombëtar”.

Pavarësisht këtyre diskutimeve dhe ndarjes së opinioneve në rrjet, organizatorët kanë ende një mundësi të shkëlqyer për të ndryshuar dinamikën e festivalit. Sonte është nata e dytë dhe “lineup-i” i artistëve mbetet vërtet mbresëlënës. Në skenë pritet të ngjitet një kastë emrash shumë të dashur për publikun, duke filluar nga ikonat e muzikës shqiptare, Sabri dhe Ermal Fejzullahu, yjet me famë ndërkombëtare Era Istrefi dhe Gashi, e deri te hitbërësit si Ledri Vula, Kida, Xhensila Myrtezaj, Lumi B, Bardhi, Don Phenom dhe magjia e Endrit, Stefit e Nikollë Nikprelajt. Mbetet për t’u parë nëse ky formacion i jashtëzakonshëm muzikor do të arrijë të tërheqë një numër më të madh të pranishmish, duke e përmbyllur eventin me suksesin e synuar. /Prive By Liberta Spahiu


