Pushimet në Kosovë u kthyen në një makth të vërtetë, qoftë edhe për pak minuta, për influenceren e njohur Valdrina. E sapoardhur nga Gjermania për të kaluar ditët e nxehta pranë të afërmve, ajo ka përjetuar atë që çdo prind do ta konsideronte frikën më të madhe jetësore: humbjen e fëmijës brenda mureve të shtëpisë. Ngjarja mori përmasa tensionuese kur, ndërkohë që kërkonin të voglën Loana në çdo cep, jashtë dëgjoheshin vazhdimisht sirena policie, detaj ky që e çoi panikun në një tjetër nivel duke i bërë të mendonin më të keqen.
Përmes disa postimeve tejet emocionale në llogarinë e saj në Instagram, me sy të përlotur dhe e shokuar nga adrenalina, Valdrina ndau me ndjekësit detajet e atyre 20 minutave që i ngjanin një pafundësie.
Edhe pse kishte tre të rritur në shtëpi dhe çdo derë e dritare ishte e mbyllur, nuk kishte asnjë gjurmë të vajzës. Ajo tregoi se si zëri i saj po thahej duke thirrur pafund “Lolo”, ndërkohë që kërkimi dëshpërues kishte përfshirë edhe fqinjët në lagje.
Frika ishte aq e madhe sa influenceria tentoi të telefononte menjëherë emergjencën, ndonëse në konfuzion e panik e sipër kishte formuar numrin e gabuar 911. Bodrume, pishina dhe çdo skutë u kontrollua rreptësisht pa asnjë rezultat.
Por, si në skenarët ku gjithçka mbyllet me një frymëmarrje të thellë lehtësimi, drama u zgjidh nga bashkëshorti i saj, Valdeti, i cili arriti ta gjente të voglën. Ku qëndronte “miushi i vogël” gjatë gjithë këtij kaosi?
E fshehur në qetësi absolute pikërisht nën njërin prej krevatëve, të cilin Valdrina e kishte zhvendosur pak më herët por pa e vënë re. Më pas, influenceria sqaroi se ky reagim online erdhi vetëm kur stuhia kaloi dhe u qetësuan tërësisht, duke theksuar prerë se në momente të tilla kritike, Instagrami nuk të shkon as në fund të mendjes. Një kujtim aspak i këndshëm nga këto ditë pushimesh, por fatmirësisht me një fund pa pasoja për familjen. /Prive By Liberta Spahiu


