Zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe Lagunën e Nartës kanë sjellë reagime të shumta në lidhje me ndërtimet e reja në këtë zonë. Situata ka qenë e tensionuar mes protestave të qytetarëve, ndërsa një ditë më parë u raportua se një person u mor forcërisht nga sigurimi privat i zonës.
Mes kësaj klime, ka rënë në sy mungesa e reagimit nga personazhet e njohur publikë. Për këtë çështje ka folur hapur gazetarja Dalina Buzi, e cila theksoi se heshtja e atyre që kanë influencë të madhe nuk është e rastësishme.
Përmes një video-mesazhi, Dalina u shpreh se në ditët e sotme një pjesë e personazheve publikë “shitet më lirë se kumbullat e tharta”.
Duke folur për figurat me ndjekshmëri të madhe në rrjetet sociale, ajo deklaroi: “Ndoshta s’ua ndjen fare. Fare vëlla, nuk duan t’ia dinë kaq. Është shumë e thjeshtë. Nuk kanë asnjë lloj interesi për çfarë po ndodh në lagunën e Nartës dhe në Zvërnec.” Gazetarja sugjeroi gjithashtu se disa prej tyre ndoshta “janë shumë të lumtur dhe janë pro investimeve të reja, strategjike në atë zonë”.
Buzi e cilësoi operimin me ndryshimet ligjore për këtë hapësirë si një “skuthllëk” të madh që është bërë në kurriz të mjedisit dhe integritetit kombëtar. Ajo i kujtoi qytetarëve se kërkimi i llogaridhënies është thelbësor, duke u shprehur: “Ne nuk po jetojmë në shtëpinë e Edi Ramës, më kupton? Nuk është se jemi futur këtu dhe po jetojmë me qira dhe po i themi faleminderit bë çfarë të duash, ja unë zura këtë cepin e kolltukut këtu.” Ajo theksoi se qeveria duhet të vihet para përgjegjësisë dhe transparencës.
Në mbyllje, gazetarja e drejtoi gishtin nga vetë shoqëria, duke shtuar se “vipat tanë janë vipat e një populli apatik që i ka çuar aty ku janë.” Për të gjithë ata që presin mbështetje nga emrat e njohur, Dalina dha një zgjidhje mjaft të qartë dhe të drejtpërdrejtë: kërkoi që t’u bëhet “unfollow” dhe të mos ndiqet më asnjë i famshëm nëse mendoni se duhej reagim nga ta për çështjen. /Prive By Liberta Spahiu


