Mbrëmjen e sotme u publikuan pamjet nga incidenti i ndodhur në ambientet e shtëpisë muzikore “ONIMA”. Në videot e bëra publike, shihet Gjesti teksa hyn me armë në dorë dhe demolon sendet brenda në zyrë, duke shkaktuar dëme materiale.
Mediumi Sinjali ka publikuar videon e këtij rasti, ku dokumentohen lëvizjet e artistit në ato momente.
Pas publikimit të këtyre pamjeve, ka reaguar menjëherë vetë Gjesti përmes një deklarate në profilin e tij zyrtar. Ai ka akuzuar kompaninë për montim të qëllimshëm të materialit, duke thënë se videot janë të prera dhe nuk e pasqyrojnë të gjithë realitetin.
Sipas Gjestit, përplasja ka nisur për çështje financiare, pasi ai pretendon se kompania i ka vjedhur fitimet dhe i ka falsifikuar nënshkrimin. Ai ka ngritur pyetjen se pse nuk është publikuar pjesa ku, sipas tij, i është drejtuar arma i pari nga ana e zyrtarëve të kompanisë. Megjithatë, Gjesti ka shtuar se pranon pjesën e tij të fajit për veprimet dhe se do t’u bëjë ballë pasojave ligjore përballë drejtësisë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, nga kompania “ONIMA” nuk ka pasur ende një reagim zyrtar pas publikimit të pamjeve të fundit.
Përfaqësuesit e shtëpisë muzikore (deri më tani) kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje, duke mos dhënë asnjë version (pas publikimit të videos) për ngjarjen e ndodhur në zyrat e tyre.

Kujtojmë se për këtë rast, me datë 13 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit një muaj ndaj Gjestit, për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprat penale: kanosja, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjesti u lirua një javë më pas nga paraburgimi. /Prive By Liberta Spahiu


