Në prag të zgjedhjeve që pritet të mbahen më datë 7 në Kosovë, aktori i njohur i humorit, Adnan Blaku, ka gjetur një mënyrë unike dhe tejet satirike për të goditur klasën politike dhe premtimet e tyre të bujshme elektorale. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blaku ka njoftuar “hapjen e fushatës” së tij, duke u shfaqur i maskuar si klloun.
Siç shihet në imazhin e shpërndarë në profilin e tij në Instagram, aktori ka ndarë një tekst që thumbon drejtpërdrejt premtimet që sipas tij janë boshe dhe që jepen gjatë fushatave reale. “Sot zyrtarisht e hapi fushaten time per deputet ne Kuvend!”, ka shkruar ai me ironi.
Për t’i vënë vulën satirës, Blaku ka renditur disa “premtime” absurde që pasqyrojnë ironinë e tij ndaj premtimeve të politikanëve:
“Premtoj premtime. Premtoj vende pune për ata që punojnë. Premtoj rritje pagash pa e dit ku i marr paratë. Premtoj rrugë deri në Han të Elezit me dalje në Detin Adriatik. Premtoj gjithçka që doni me ni.”
Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai ka shtuar se nëse nuk i realizon këto, “premtoj se zgjedhjet tjera do të premtoj edhe ma shumë!”. Postimi mbyllet me një moto: “Vota juaj, zhgënjimi juaj.” /Prive By Liberta Spahiu



