Mbrëmja e së shtunës ka kulmuar me shpalljen e më të bukurës, ku Jogersa Beqiri ka rrëmbyer zyrtarisht kurorën e “Miss Universe Albania”. Pas këtij triumfi të madh, miss-i i ri ka thyer heshtjen përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, duke shprehur të gjitha emocionet e asaj nate magjike.
Përmes një mesazhi të gjatë, Jogersa ka treguar se ende e ka të vështirë ta besojë këtë moment të bukur që po përjeton. Ajo e përshkroi rrugëtimin e saj si një sfidë të mbushur me sakrifica, por edhe me momente që do t’i kujtojë gjatë. “Në skenë ndjeva emocionet më të forta që kam përjetuar ndonjëherë – gëzim, ankth, lumturi dhe krenari, të gjitha në të njëjtën kohë,” u shpreh ajo.
Bukuroshja nuk ka harruar pa falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë, duke nisur nga familja, miqtë, stafi organizator, mentorët, fotografët dhe grimierët. Një mesazh mjaft fjalëmbëls ajo e ka dedikuar edhe për vajzat e tjera pjesëmarrëse. “Ishte kënaqësi dhe nder të ndaja këtë eksperiencë me ju. Secila prej jush është e bukur, e fortë dhe unike në mënyrën e saj,” shkroi Miss-i.
Në mbyllje të reagimit të saj, Jogersa theksoi se ky titull është një shtysë e madhe për të ardhmen e saj profesionale dhe përfaqësimin e vendit. “Ky kurorëzim nuk është vetëm një fitore personale, por një motivim për të vazhduar të punoj fort, të besoj te vetja dhe të përfaqësoj me dinjitet vlerat që mbart. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e këtij kapitulli të paharrueshëm të jetës sime,” përfundoi ajo duke etiketuar faqen zyrtare të Miss Universe Albania.
View this post on Instagram
Ndërsa, Evisa Pacolli fitoi titullin “Miss Universe Kosova 2026”.
Tashmë fitueset do të përfaqësojnë bukurinë shqiptare në arenën ndërkombëtare, në spektaklin e madh të Miss Universe që do të zhvillohet në Porto Riko në muajin nëntor, duke çuar më tej emrin e Shqipërisë dhe Kosovës në skenën botërore të bukurisë. /Prive By Liberta Spahiu


