Historia e dashurisë mes Ariana Grande-s dhe Ethan Slater nuk ishte e destinuar të zgjaste përgjithmonë. Çifti i njohur, i cili u njoh në vitin 2022 gjatë xhirimeve të sagës kinematografike “Wicked” të regjisorit Jon M. Chu, i ka dhënë fund lidhjes së tyre pas pothuajse tre vitesh bashkë, siç ka konfirmuar zyrtarisht E! News.
Dyshimet për një ndarje të mundshme kishin nisur prej kohësh në rrjet. Kishte kaluar plot gjysmë viti që nga hera e fundit kur ata ishin parë bashkë në publik, pikërisht në dhjetor, kur Slater mori pjesë në festën e Saturday Night Live për të mbështetur Arianën, e cila ishte moderatore e emisionit. Pavarësisht fundit, ata jetuan një përrallë të vërtetë gjatë kohës që ishin bashkë, duke shijuar xhirimet dhe më pas promovimin e madh të filmit “Wicked”.
Kjo romancë nisi mes shumë stuhish mediatike dhe ndryshimesh të mëdha në jetën e tyre private. Në fillim të vitit 2023, Ariana ishte ndarë në fshehtësi nga bashkëshorti i saj Dalton Gomez, divorc që u zyrtarizua në shtator të atij viti. Vetëm pak ditë pasi lajmi i ndarjes së saj u bë publik, burimet konfirmuan lidhjen e re me Ethan Slater, i cili nga ana e tij bëri kërkesë për divorc nga bashkëshortja e tij prej katër vitesh, Lilly Jay, me të cilën ka edhe një djalë 3-vjeçar.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, dyshja u përball me thashetheme të shumta dhe sulme nga mediat rozë, të cilat i akuzonin për tradhti. Ariana Grande reagoi hapur në disa intervista, duke u shprehur e zhgënjyer që njerëzit besuan “versionin më të keq” të historisë. Ajo e mbrojti fuqishëm Slater duke thënë se nuk ekziston një përshkrim më i pasaktë për një njeri sesa ai që përhapën tabloidët dhe se Ethan ka një nga zemrat më të mira që ajo ka njohur ndonjëherë.
Pavarësisht presioneve, ata arritën të shijonin momente të bukura si një çift normal, duke vizituar Disney World, duke ndjekur ndeshje hokeji apo shfaqje në Broadway, si dhe duke mbështetur projektet muzikore të njëri-tjetrit. Megjithatë, siç duket, ky kapitull tashmë është mbyllur përfundimisht për të dy artistët. /Prive By Liberta Spahiu


