Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, dhe partneri i saj, aktori Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni magjike në Siçili të Italisë. Festimet luksoze, të cilat zgjatën për tri ditë, u mbajtën në ambientet përrallore të “Villa Valguarnera” në Bagheria, pranë Palermos, duke mbledhur miq, familjarë dhe personazhe të njohur të artit.
Një nga momentet më emocionuese dhe të veçanta të kësaj dasme ka qenë surpriza e organizuar nga komuniteti historik arbëresh i Siçilisë. Siç tregohet, banorët e zonës së njohur “Piana degli Albanesi” kanë udhëtuar drejt vilës për t’i bërë një nderim special nuses shqiptare.

Një delegacion i përbërë nga dhjetë vajza të veshura me kostumet madhështore e tradicionale të Piana degli Albanesi ka magjepsur të pranishmit. Ato kanë interpretuar këngë të vjetra e sugjestive arbëreshe, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë të rrënjëve shqiptare në zemër të Siçilisë.
Përveç muzikës, artistët dhe mjeshtrit argjendarë vendas i kanë dhuruar çiftit të sapomartuar një kujtim të çmuar. Ata kanë krijuar plotësisht me dorë vathët tradicionalë të zonës të njohur si “Panieri”, një vepër arti artizanale që simbolizon trashëgiminë e pasur kulturore arbëreshe. Ky moment krenarie ka bërë xhiron e rrjetit, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë që komunitetet shqiptare jashtë vendit ruajnë për figurat që lartësojnë emrin e kombit në botë. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


