Nëse jeni nga ata që këndojnë para pasqyrës dhe mendoni se keni atë “faktorin X” për të qenë pjesë e tregut muzikor, ky mund të jetë rasti juaj. Dyshja e njohur televizive, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, sapo kanë konfirmuar rikthimin e “X Factor Albania” dhe kanë nisur zyrtarisht kërkimin për talentet e radhës. Këtë herë, thirrja për audicione është mjaft e gjerë dhe nuk kufizohet aspak vetëm brenda Shqipërisë.
Audicioni i madh është caktuar të mbahet të shtunën, më 27 qershor, duke nisur nga ora 11:00 në ambientet e televizionit Klan. Organizatoret kanë bërë një ftesë të hapur për të gjithë ata që kanë një zë të veçantë, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe mbarë diasporën. Kriteri i vetëm i domosdoshëm është që pjesëmarrësit të jenë mbi 17 vjeç, ndërsa për moshën e sipërme nuk ka asnjë kufizim, duke i dhënë shansin kujtdo që kërkon të provojë veten në muzikë pavarësisht viteve.
Nga përvoja me sezonet e kaluara, dihet tashmë që dyshja Grabocka-Vejsiu dinë të ndërtojnë formate që tërheqin vëmendjen e publikut dhe shërbejnë si një trampolinë e mirë për artistët e rinj. Disa nga emrat që kanë dalë nga ky format sot janë pjesë aktive e showbizz-it tonë dhe po bëjnë karrierë të suksesshme.
Kështu që, nëse mendoni se e keni talentin e duhur dhe dëshironi të provoni veten para jurisë, bëhuni gati dhe mos e humbisni këtë mundësi për të hyrë në botën e diskografisë shqiptare. /Prive By Liberta Spahiu


