Flamingot prej letre dhe flamujt kuqezi kanë mbushur Tiranën këtë të shtunë, teksa dhjetëra mijëra shqiptarë të ardhur nga mbarë Evropa i janë bashkuar një proteste masive. Manifestimi u drejtua kundër korrupsionit qeveritar dhe planeve të Jared Kushner për një investim prej 4 miliardë dollarësh në një resort bregdetar.
Kjo demonstratë, ndër më të mëdhatë në Shqipëri përgjatë viteve të fundit, bëri bashkë familjarë, tifozë futbolli, nacionalistë, e madje edhe një karavan makinash të ardhur posaçërisht nga Londra, në një shfaqje të rrallë bashkimi. Shumë prej protestuesve bënë thirrje për burgosjen e dy figurave kryesore politike: Kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Sali Berisha.
Çfarë është “Revolucioni i Flamingove”?
Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump, ka paraqitur plane për një zhvillim turistik luksoz në Sazan (ishulli i vetëm i madh i Shqipërisë në Adriatik) dhe në një zonë bregdetare pranë tij, ngjitur me një rezervat natyror që shërben si shtëpi për flamingot. Pikërisht ky projekt ka frymëzuar lëvizjen e protestës, e cila tashmë është pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”.
“Ajo që nisi si një reagim kundër zhvilluesve korruptivë, tashmë është shndërruar në një lëvizje të madhe,” u shpreh Ervin Kaçiu, sociolog në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. “Ajo ka sintetizuar gjithçka që nuk shkon në Shqipëri: korrupsionin politik, pushtetin e oligarkëve, si dhe policinë e mediat kryesore që mbyllin sytë para akteve kriminale. Njerëzit tani po luftojnë kundër të gjithë regjimit.”
Për tre javë rresht, mijëra njerëz janë mbledhur natën në Tiranë, ndërsa marshimet janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe në 30 qytete anembanë botës.
Karavani nga Londra dhe zëri i qytetarëve
Një linjë e gjatë makinash bëri xhiro në qendër të Tiranës të shtunën pasdite, me mbërritjen e karavanit që nisi rrugëtimin nga Londra dhe u rrit rrugës nga shoferë të tjerë shqiptarë nëpër Evropë. Automjetet, të mbuluara me flamuj dhe duke rënë rresht borive, morën duartrokitje të gjata nga kalimtarët.
“Ne jemi një komb i bashkuar kundër oligarkëve dhe elitës politike,” tha Artur Bregu, një tregtar nga veriut i Tiranës, i cili mbylli biznesin e tij për t’iu bashkuar protestës. “Nuk e di se çfarë mund të arrijmë, por po të heshtim, korrupsioni do të vazhdojë përgjithmonë.”
Deri në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz mbushën bulevardin kryesor përpara kryeministrisë, duke fryrë bilbilave dhe vuvuzelave. Lëvizja ka prekur një zhgënjim të thellë qytetar ndaj marrëdhënieve të ngushta mes elitës politike të Shqipërisë dhe disa familjeve të pasura që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në vend.
Protestuesit mbanin gjithashtu edhe flamuj amerikanë, për të treguar se nuk janë kundër SHBA-së, por kundër mënyrës se si po shfrytëzohen këto investime të huaja, shkruan mediumi anglez ‘Financial Times’.

Reagimi i Edi Ramës dhe hetimet e SPAK
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestuesit si ekstremistë dhe i ka akuzuar ata se po i rezistojnë një projekti që është në interes të Shqipërisë. Ai gjithashtu pretendoi se agjentë të huaj, përfshirë ata nga Irani, po nxisin trazira.
“Flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga korbat dhe sorrat, të cilët heqin si dashamirës të mjedisit për të nxitur një protestë që s’ka asnjë lidhje me mjedisin,” shkroi Rama në Facebook.
Një nga thirrjet më të shpeshta të turmës ishte “Rama në burg, Berisha në burg”. Publikisht, dy politikanët janë armiq të betuar dhe Berisha i ka mbështetur protestat, por pas dekadash në vijën e parë të politikës, lideri i opozitës shihet nga protestuesit si njëlloj fajtor për gjendjen e vendit.
Për ta ndërlikuar më tej situatën, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) ka nisur hetime mbi marrëveshjet e pronësisë së tokës lidhur me këtë investim, pas akuzave për falsifikim titujsh pronësie dhe parregullsi të tjera.
Rama është vendosur nën monitorim, përfshirë edhe nga Parlamenti Evropian, për heqjen e kufizimeve mjedisore në atë zonë me qëllim lehtësimin e turizmit të luksit. Megjithatë, kryeministri i ka quajtur këto kritika të gabuara, duke argumentuar se cilësia e mjedisit do të përmirësohet pikërisht falë këtij investimi. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


