Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Kërkesa e Prokurorisë është aprovuar nga gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Selvije Morina Zejnaj, e cila ka vendosur që masa e paraburgimit të zgjasë nga 25 tetori, në orën 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në orën 20:00.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga pranimi i tij. Ankesa mund të paraqitet në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë. /Prive Bruto


