Dua Lipa dhe Callum Turner sapo kurorëzuan dashurinë e tyre me ceremoni madhështore në Londër dhe Siçili gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti, por duket se interneti nuk ka ndërmend të ndalet me kaq.
Së fundmi, një thashethem i ri ka pushtuar rrjetin, duke pretenduar se ylli i popit po planifikon një tjetër dasmë, këtë herë një ceremoni tradicionale shqiptare në Tiranë në fund të muajit korrik. Detajet e këtij pretendimi u përhapën me shpejtësi pas një postimi viral në platformën X, duke i bërë fansat të ëndërrojnë për një festë të madhe në kryeqytet ku nuk do të mungonin tupanat dhe vallet tradicionale.

Megjithatë, para se të filloni të entuziazmoheni për dasmën e radhës, duhet të hedhim pak dritë mbi burimin e këtij lajmi. Ne bëmë kërkimet tona për kontekst të saktë dhe rezulton se llogaria në fjalë është thjesht një faqe që poston përmbajtje satirike për të tërhequr vëmendje dhe klikime. Për shembull, e njëjta faqe publikoi një tjetër pretendim të stisur ku thuhej se Dukagjin Lipa kishte dhënë dorëheqjen si menaxheri i saj si një dhuratë për martesën. Sipas të dhënave të fundit nga bota e showbizit, Dugi është ende në krye të punëve të saj dhe ky pretendim nuk ka asnjë lidhje me realitetin, por është thjesht një trillim për t’u bërë viral.
Dhe nëse kishit ende dyshime për natyrën komike të kësaj llogarie, mjafton t’i hidhni një sy një tjetër postimi absurd nga i njëjti autor, ku me shaka pretendohet se çifti po ngjit malin Everest për udhëtimin e tyre pas muajit të mjaltit. Pra, ndonëse një dasmë me motive tradicionale shqiptare në Tiranë do të ishte epike dhe një lajm fantastik për të gjithë ne, për momentin gjithçka mbetet thjesht një humor i radhës në rrjetet sociale. /Prive By Liberta Spahiu




