Nëse brezat e kaluar e mbanin të fshehur vizitën te psikologu sikur të ishte një “mëkat” apo dobësi, për Gjeneratën Z (Gen Z) shëndeti mendor është kthyer në temën kryesore të bisedave të përditshme. Një studim i fundit i publikuar nga fondacioni prestigjioz “Annie E. Casey Foundation” ka zbuluar se ky është brezi më i arsimuar terapeutikisht në histori, por njëkohësisht edhe më i prekuri nga ana emocionale.
Shifrat që tronditën rrjetin: 80% më shumë ankth dhe depresion
Të dhënat e nxjerra në dritë nga ky hulumtim tregojnë një hendek të madh mes të rinjve të sotëm dhe prindërve apo gjyshërve të tyre:
Mbi 80% më të rrezikuar: Pjesëtarët e Gjeneratës Z janë 80% më të prirur të raportojnë se vuajnë nga ankthi ose depresioni krahasuar me gjeneratat më të vjetra.
Gjysma me diagnozë zyrtare: Pothuajse 50% e të rinjve të këtij brezi kanë marrë tashmë të paktën një diagnozë formale për shëndetin mendor nga një profesionist.
Terapia si stil jete: Rreth 37% e tyre kanë punuar ose punojnë aktualisht me një psikolog apo psikiatër, duke shënuar shkallën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në histori.
Ndryshimi më radikal që po vrehet ka të bëjë me qasjen ndaj institucionit të psikologut. Përpara se ky brez të rritej, terapia konsiderohej si “zgjidhja e fundit” kur çdo gjë tjetër kishte dështuar. Sot, Gen Z e konsideron shkuarjen te psikologu si një rutinë të thjeshtë të kujdesit bazë, njësoj si të shkosh në palestër apo të kujdesesh për lëkurën. Ata preferojnë t’i ndajnë sfidat e tyre mendore publikisht (madje edhe në rrjete sociale) sesa t’i fshehin ato.
Debati i madh: A është kjo shenjë përparimi apo diçka negative? Ndërsa ekspertët e përshëndesin thyerjen e stigmës, në rrjetet sociale ka plasur një debat i fortë. Shumë kritikë shprehen se ky “guxim” për t’u diagnostikuar po i bën të rinjtë më të ndjeshëm, duke u dhënë atyre etiketa mjekësore për mërzitë apo dështimet normale që sjell jeta e përditshme.
Pavarësisht debateve, një gjë është e sigurt: epoka e fshehjes së problemeve mendore ka përfunduar. Gen Z po dëshmon se të kërkosh ndihmë nuk është më një turp, por një domosdoshmëri. /Prive By Liberta Spahiu


