Aktori i njohur turk Burak Özçivit, i cili ka fituar zemrat e publikut shqiptar me rolin e tij si “Osmani”, duket se po i lidh gjithnjë e më shumë urat me Shqipërinë. Këtë herë, vëmendja nuk është te projektet e tij të reja kinematografike në ekran, por te një lëvizje e madhe dhe e rëndësishme në fushën e biznesit dhe investimeve strategjike.
Në mbledhjen e djeshme të datës 30 qershor, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në qytetin e Vlorës. Kjo hapësirë e konsiderueshme do të vihet në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania” për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik të quajtur “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, ku do të ndërtohet një zonë e lirë ekonomike.
Sipas të dhënave, kjo kompani rezulton në pronësi të Mehmet Faruk Burbul, pronar i korporatës ndërkombëtare gjigante “RAMS Global” me seli në Almaty të Kazakistanit. Ndërkaq, ajo që ngre dyshimet për përfshirjen e aktorit turk është fakti se prej marsit të vitit 2025, Burak Özçivit është shpallur zyrtarisht si imazh dhe partner zyrtar i “RAMS Global” në disa projekte të mëdha ndërkombëtare në Irak dhe Kazakistan.
“Deri sot, nuk kisha parë kaq shumë njerëz në Vlorë të prisnin në radhë për të bërë një fotografi… Na bënë bashkë projektet që kanë qëllim promovimin e Vlorës si destinacion turistik dhe jo vetëm”, deklaronte Ermal Dredha gjatë verës së vitit 2025.
Kujtojmë se pikërisht në verën e vitit 2025, ylli i telenovelave turke zgjodhi bregdetin e Vlorës për të kaluar pushimet, ku u prit me interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët dhe u takua zyrtarisht edhe me kryebashkiakun e asaj kohe, Ermal Dredha. Ndonëse vizita e tij u komentua gjatë, ky vendim i fundit i qeverisë ngre pikëpyetje të forta nëse ditët e tij në Vlorë, përveç pushimeve, fshehnin prapaskenat e këtij biznesi të madh strategjik ku ai figuron si partner.



