Një epokë në karrierën e sopranos shqiptare Ermonela Jaho mori fund në skenën e Teatro Costanzi në Romë. Artistja interpretoi për herë të fundit Violetën në operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit, rolin me të cilin është identifikuar në teatrot më prestigjioze të botës dhe që e ka shndërruar në një nga interpretueset më të vlerësuara të këtij personazhi.
Pas afro 300 interpretimeve të Violetës në skena si Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Opéra National de Paris, Bayerische Staatsoper dhe Teatro Real në Madrid, Jaho vendosi t’i japë lamtumirën rolit që është konsideruar kulmi i karrierës së saj artistike. Për më shumë se dy dekada, interpretimi i saj është vlerësuar nga publiku dhe kritika për intensitetin emocional, ndërtimin dramatik të personazhit dhe ndjeshmërinë e rrallë skenike.
Edhe në Romë, kritika e cilësoi paraqitjen e saj si një interpretim të jashtëzakonshëm. Sipas vlerësimeve, Jaho nuk interpreton thjesht Violetën, por e jeton atë në çdo detaj, duke e shndërruar fjalën, gjestin dhe frazën muzikore në emocion të pastër. Veçanërisht u vlerësua akti i tretë i operës, ku interpretimi i saj u konsiderua një nga momentet më prekëse të krijuara ndonjëherë në këtë rol.
Produksioni, i cili shënon dhjetë vjet në repertorin e Operës së Romës, mban firmën e regjisores Sofia Coppola, me skenografi të Nathan Crowley dhe kostume të realizuara nga Valentino Garavani, ndërsa drejtimin muzikor e mbajti dirigjenti Francesco Ivan Ciampa. Në role të tjera interpretuan tenori Dmitry Korchak si Alfredo dhe baritoni Amartuvshin Enkhbat si Giorgio Germont.
Për kritikët ndërkombëtarë, Ermonela Jaho mbetet Violeta më domethënëse e dy dekadave të fundit, falë aftësisë së saj për të bashkuar virtuozitetin vokal me një interpretim të rrallë njerëzor. Lamtumira e saj nga ky personazh nuk shënon vetëm fundin e një roli, por mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e operës bashkëkohore, duke lënë një trashëgimi artistike që do të mbetet pikë referimi për brezat e ardhshëm.


