>Kur banorët eliminohen apo e mbyllin rrugëtimin në shtëpinë më të famshme, zakonisht mendojmë se marrin me vete vetëm valixhet me rroba, ndonjë kujtim të bukur dhe pak stres nga izolimi. Por Shëndrit Lumi, i cili arriti deri në gjysmëfinalen e Big Brother VIP Albania 5, paska menduar pak më ndryshe dhe nuk ka dalë duarbosh nga shtëpia.
Gazetari i njohur ka vendosur të bëhet një lloj koleksionisti i aventurës së tij televizive, duke marrë me vete disa suvenire mjaft specifike dhe plot domethënie. Sapo e ka ndarë sonte një vlog super interesant në kanalin e tij në YouTube, ku ka hapur thesin e kujtimeve dhe u ka treguar ndjekësve se çfarë ka mbajtur si kujtim nga kjo eksperiencë intensive.
Nëse keni menduar se bëhet fjalë vetëm për ndonjë bluzë apo aksesor të thjeshtë, gaboheni rëndë sepse si një gazetar me sy për detajet dhe historitë, Shëndriti ka prekur anën e tij më sentimentale, por edhe atë pak lozonjare. Së pari, si një merakli i bisedave dhe strategjive të mëngjesit, ai nuk mund të largohej pa e marrë me vete një nga filxhanët ikonikë të kafesë me të cilin e kemi parë pafundësisht në ekran. Më pas, ai ka treguar se ka ruajtur me shumë fanatizëm qirinjtë e tortës së ditëlindjes që e festoi brenda, si dhe të gjitha letrat e urimit që i kishin ardhur.
Por pjesa më epike e gjithë këtij vlogu është pa dyshim momenti kur Shëndriti zbulon se ka marrë me vete edhe zarfin e famshëm të Kutisë së Pandorës. Ai e ka shijuar në maksimum çdo detaj të Big Brother, aq sa ka vendosur ta marrë një copëz të vërtetë të dramës me vete. /Prive By Liberta Spahiu


