Përveç performancave të tij të jashtëzakonshme në Kupën e Botës “Katar 2026”, sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, është bërë papritur kryefjala e një momenti viral në rrjetet sociale. Çdo gjë nisi kur krijuesja e përmbajtjes në Instagram, Emma Kate Willman, publikoi një video të thjeshtë ku tregonte se si të thurnin flokët gërshet, por vëmendja e ndjekësve iku në një drejtim krejt tjetër.
Në vend që të përqendroheshin te modeli i flokëve, përdoruesit u fiksuan pas pamjes së saj, duke pretenduar se ajo kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me Haaland. Flokët e biondë, tiparet e fytyrës dhe mimikat e Emmas bënë që videoja të shpërthente në internet, duke kaluar mbi 33 milionë shikime dhe duke u mbushur me mijëra komente që e krahasonin me yllin e futbollit.
Zhurma e madhe arriti deri te veshët e vetë Haaland, i cili vendosi t’i bashkohej shakasë. Futbollisti la një koment të thjeshtë në videon e saj duke shkruar vetëm “Hi” (Çkemi), gjë që e bëri videon akoma më virale. Emma pranoi më vonë se kurrë nuk e kishte menduar që një tutorial flokësh do ta kthente në qendër të vëmendjes për shkak të një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit.
Vajza tregoi me humor se ky moment i dhuroi asaj rreth 3 deri në 4 mijë ndjekës të rinj brenda ditës, por bëri edhe një shaka për krahasimin: “Së pari, sozia më e mirë që më gjeni është një futbollist mashkull? Seriozisht? Nuk mund të kthehemi te kohët kur më thoshit se ngjaj me Zara Larsson? Pa ofendim për Haaland, por unë jam thjesht një vajzë e vogël nga Charlestoni.”
Ndërkohë, komentet e njerëzve ishin epike, ku shumë prej tyre shkruanin se ajo dukej si “motra e humbur e Haaland” ose “versioni femër i tij”. Disa të tjerë e uruan me humor për ndeshjet në Botëror duke i shkruar: “Bravo për dygolëshin ndaj Brazilit dhe urime për kualifikimin në çerekfinale”, duke iu referuar ecurisë historike që Haaland po bën në fushë duke e dërguar Norvegjinë për herë të parë në çerekfinalet e një Botërori. /Prive By Liberta Spahiu


