Një familje shqiptare ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve, duke kërkuar ndihmë për trajtimin e nënës së tyre, e cila prej shtatë vitesh po përballet me leukemi mieloide kronike.
Sipas apelit të publikuar nga Dafina Bytyqi, nëna e saj ishte diagnostikuar me këtë sëmundje rreth shtatë vjet më parë dhe, falë medikamenteve, kishte arritur ta mbante nën kontroll për një periudhë të gjatë.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar gjendja e saj është rënduar, ndërsa familja thotë se transplanti alogjen i qelizave staminale është aktualisht shpresa kryesore për trajtimin e saj.
“Si familje, gjatë këtyre viteve kemi bërë gjithçka që kemi mundur dhe kemi mbuluar vetë shpenzimet e trajtimeve. Por tani kostot e trajtimit të mëtejshëm, transplantit, qëndrimit në spital dhe kujdesit pas transplantit i tejkalojnë mundësitë tona financiare”, thuhet në apel.
Për këtë arsye është hapur një fushatë donacionesh me synim mbledhjen e 168 mijë frangave zvicerane. Në momentin e publikimit të apelit, ishin mbledhur mbi 10 mijë franga zvicerane nga më shumë se 140 donatorë.
Familja ka kërkuar ndihmën e të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë, duke theksuar se edhe shpërndarja e apelit mund të ndihmojë që kërkesa e tyre të arrijë te sa më shumë njerëz.
“Çdo donacion, sado i vogël, e afron nënën time një hap më pranë trajtimit që mund t’i shpëtojë jetën”, shkruan Dafina në thirrjen e saj për ndihmë. /Prive Bruto


