Vëllezërit më kontroversë të rrjeteve sociale nuk po gjejnë qetësi dhe këtë herë telashet e tyre kanë marrë përmasa ndërkombëtare. Andrew dhe Tristan Tate janë arrestuar këtë fundjavë në Miami të Shteteve të Bashkuara nga forcat e US Marshals, pas një kërkese të re për ekstradim nga autoritetet britanike. Dyshja, që njihet për stilin e jetës luksoze dhe deklaratat e tyre që shpesh ndezin debate të forta kudo në internet, tani përballet me akuza jashtëzakonisht të rënda që mund t’u kushtojnë lirinë.
Prokuroria britanike ka ngritur akuza të reja kundër tyre, të cilat përfshijnë përdhunim, trafikim qeniesh njerëzore dhe vepra të tjera të rënda seksuale, duke e çuar numrin e viktimave të supozuara në shtatë. Sipas detajeve të fundit nga mediat e huaja, Andrew përballet me shtatë akuza të reja për përdhunim dhe disa akuza të tjera shokuese për përmbajtje abuzive me të mitur, ndërsa Tristan ngarkohet me akuza për sulme seksuale dhe lehtësim të trafikimit. Ngjarjet e supozuara thuhet se kanë ndodhur disa vite më parë, konkretisht mes periudhës 2010 dhe 2017, shumë kohë para se ata të bëheshin fenomenet globale që janë sot.
Nga ana tjetër, mbrojtja e tyre ligjore po bën çmos për t’i shpëtuar nga ky telash. Avokati i vëllezërve e ka quajtur të gjithë këtë situatë një tentativë absurde për të dëmtuar imazhin e tyre, duke u shprehur i bindur se sistemi i drejtësisë në Amerikë nuk do të bëjë lojën politike të Britanisë. Ai theksoi me bindje se djemtë do të dalin të lirë sapo faktet t’i prezantohen një gjykatësi. Tani mbetet për t’u parë nëse Andrew dhe Tristan do të përfundojnë të ekstraduar drejt Londrës apo do të gjejnë përsëri një rrugë shpëtimi nga ky lëmsh i vërtetë ligjor. Një gjë është e sigurt, drama për vëllezërit Tate sapo mori një kthesë të re dhe interneti po zjen nga teoritë. /Prive By Liberta Spahiu


