Mbrëmjet e freskëta të tetorit dhe atmosfera vjeshtore janë momenti ideal për t’iu rikthyer leximit. Nëse jeni duke kërkuar tituj që do t’ju mbërthejnë nga faqja e parë, kjo listë sjell një ndërthurje të përsosur mes letërsisë shqipe, klasikeve bashkëkohore dhe bestseller-ëve ndërkombëtarë.
- “Toka e babës” – Jetlira B. AvdiajNjë roman prekës që trajton konfliktet familjare, trashëgiminë dhe lidhjen e fortë me vendin e origjinës. Përmes historisë së një familjeje, autorja sjell përplasjen mes tokës, nderit dhe identitetit, duke prekur tema mjaft të afërta me realitetin shqiptar. Një zgjedhje mjaft interesante për të gjithë ata që duan letërsi që lidhet drejtpërdrejt me shoqërinë dhe familjen.
- “Një mijë diej vezullues” – Khaled HosseiniNga autori i njohur i “Gjuetari i balonave”, ky roman rrëfen historinë e Mariamit dhe Lailës, dy grave afgane, jeta e të cilave ndërthuret në rrethana mjaft të vështira. Përmes marrëdhënies së tyre, me një gjuhë plot emocione, libri flet për dashurinë, miqësinë, sakrificën dhe forcën e njeriut për të qëndruar përballë sfidave më të errëta të jetës.
- “Normal People” – Sally RooneyKy bestseller ndërkombëtar përcjell historinë e Marianne dhe Connell, dy të rinjve që afrohen e largohen teksa kalojnë nga vitet e shkollës drejt jetës universitare. Sally Rooney eksploron me realizëm dashurinë, intimitetin, pasiguritë dhe mënyrën se si marrëdhëniet ndikojnë në formimin tonë si individë.
- “Kronikë në gur” – Ismail KadareKryevepra e Kadaresë është leximi ideal për muajin tetor. Ngjarjet zhvillohen në Gjirokastrën e mbuluar nga shiu e mjegulla vjeshtore, ku qyteti i gurtë jetësohet përmes syve të një fëmije. Me një gjuhë të pasur standarde dhe elemente të realizmit magjik, ky roman zbërthen luftën, historinë dhe magjinë e vendit tonë në mënyrë magjepsëse.
- “Njeriu që quhej Ove” – Fredrik BackmanOve është një burrë i mbyllur, i rreptë dhe i lidhur fort pas rutinës, por jeta e tij ndryshon kryekëput pas njohjes me fqinjët e rinj. Romani ndërthur me mjeshtëri humorin me emocionin, duke trajtuar humbjen, miqësinë dhe dashurinë. Një histori e ngrohtë që na kujton se pas një njeriu të vështirë mund të fshihet një shpirt shumë i ndjeshëm. /Prive Bruto
View this post on Instagram


