Aktori i njohur turk Kıvanç Tatlıtuğ ka folur për herë të parë më gjerësisht për vendimin e tij për të mbyllur llogaritë në Instagram dhe X, ku kishte miliona ndjekës.
Tatlıtuğ i dha këto deklarata gjatë premierës së filmit “Organize İşler: Karun Hazinesi”, ku u përball me pyetjet e gazetarëve për disa prej temave që kanë qenë në qendër të vëmendjes së fundmi.
I pyetur për mbylljen e llogarive të tij në rrjetet sociale, aktori tha se vendimi nuk fshihet pas ndonjë arsyeje të veçantë apo historie dramatike.
“U mërzita, desha kështu dhe i mbylla. Nuk ka nevojë ta lidhim këtë me një histori dramatike. Po flas hapur dhe qartë. Në vend të tyre, bleva rreth dy duzina libra dhe lexova shumë”, u shpreh Tatlıtuğ.
Aktori foli gjithashtu për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij në Göktürk, ku u lëndua shtetasi i Turkmenistanit, Bahadur Yangibayev.
Duke e cilësuar çështjen si të ndjeshme, Tatlıtuğ tha se nuk dëshironte që kjo temë të largonte vëmendjen nga premiera e filmit. Ai theksoi se Yangibayev nuk është punonjës i tij, por se është pranë tij në aspektin ligjor, moral dhe njerëzor.
“Dua të respektoj rëndësinë dhe emocionin e kësaj dite dhe nuk dua ta ndaj me këtë çështje. Ai nuk është punonjësi im, por në çdo aspekt, ligjërisht, moralisht dhe si njeri, jemi pranë tij dhe do të vazhdojmë të jemi”, tha aktori.
Tatlıtuğ shtoi se do ta ndjekë nga afër situatën dhe premtoi se në vijim do të japë informacione të tjera për këtë çështje.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të Yangibayev, aktori bëri të ditur se ajo është e mirë.
“Gjendja e mikut tonë është mjaft e mirë. Është një lajm shumë i mirë”, deklaroi ai.
Gjatë prononcimit, Tatlıtuğ u ndal edhe te një tjetër ngjarje që kishte tërhequr vëmendjen muajin e kaluar, kur ai reagoi ndaj një gazetari që tentoi të fotografonte djalin e tij në aeroport.
Aktori kërkoi falje për reagimin e tij, duke shpjeguar se situata kishte ndodhur gjatë natës dhe se ai e kishte konsideruar personin si një qytetar të zakonshëm që po fotografonte të birin.
“E di që të gjithë e dini sa i ndjeshëm jam për këtë çështje. Të konsiderova si një qytetar të zakonshëm. Jam mësuar të shoh njerëz me kamera, ndaj reagova në atë mënyrë. Nëse të kam lënduar, të kërkoj falje”, tha Tatlıtuğ. /Prive By Liberta Spahiu


