Ngjarja e rëndë e kësaj jave, ku mbeti e vrarë 25-vjeçarja Jetlira Foniqi e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ka tronditur thellësisht opinionin publik. Dhimbja dhe revolta për humbjen e saj dhe të foshnjës u shndërruan në një thirrje gjithëpopullore kundër femicidit.
Dje, sheshi i Prishtinës u mbush nga qytetarë të shumtë që protestuan me slloganin “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”. Protestuesit kërkuan me ngulm masa të menjëhershme nga institucionet për ndalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e jetës së tyre.
Kësaj revolte qytetare i është bashkuar edhe Tayna. Përmes një postimi në profili e saj në InstaStory, ajo ka shpërndarë pamje nga protesta në Prishtinë duke adresuar hapur fenomenin e dhunës dhe mentalitetin e vjetruar që po merr jetë nga dita në ditë.
Me tone të ashpra e tejet emocionale, artistja ka kritikuar kontrastin mes zhvillimit teknologjik dhe prapambetjes shoqërore. Ajo u shpreh se është e pafalshme që sot po flitet për makina fluturuese e robotë, ndërsa në Kosovë ende duhet të protestohet për të drejtën më elementare: të drejtën e një gruaje për të jetuar.
Tayna nuk ka hezituar të godasë edhe konceptet e gabuara të burrërisë që trashëgohen ndër breza. Ajo theksoi se për shumë vite kontrolli është barazuar me burrëri dhe posesiviteti me dashuri, ndërsa tha se disa burra ende s’kanë mësuar të bashkëjetojnë me gra të forta, duke mbetur si “sulltanë pa perandori”.
Në përmbyllje të reagimit të saj, Tayna bëri thirrje për zbatim më të rreptë të ligjit si zgjidhjen e vetme të menjëhershme. Ajo nënvizoi se pse ligji nuk e shëron dot mentalitetin brenda natës, ai ka fuqinë të shpëtojë jetë njerëzish derisa shoqëria të arrijë të shërohet.
Kjo ngjarje tragjike u përmbyll edhe me vdekjen e të dyshuarit kryesor (bashkëshortit të saj) disa ditë pas ngjarjes në spital, mirëpo mesazhi i dhënë nga protesta dhe figura publike si Tayna mbetet i njëjtë: mbrojtja e grave duhet të jetë prioritet absolut i shoqërisë.
/Prive By Liberta Spahiu



