Për afro tri dekada, vrasja e Tupac Shakur ishte një prej mistereve më të mëdha të historisë së muzikës. Por personi i parë që shpallet fajtor për rastin nuk u rrëzua nga një provë e re e ADN-së apo nga arma e krimit. Në një kthesë pothuajse ironike, atij i kushtuan shtrenjtë rrëfimet e veta.
Duane “Keffe D” Davis, 63 vjeç, është shpallur fajtor për vrasje të shkallës së parë në Las Vegas, duke u bërë personi i parë i dënuar në lidhje me vrasjen e Tupac Shakur në vitin 1996. Jurisë iu deshën më pak se tri orë për të marrë vendimin.

Davis nuk akuzohej se ishte personi që qëlloi Tupac. Prokurorët argumentuan se ai ishte organizatori i sulmit, siguroi armën dhe ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga ku u qëllua drejt makinës së reperit. Sipas ligjit të Nevadas, kjo mjaftonte që ai të mbahej përgjegjës për vrasjen.
Por pjesa më e pazakontë e historisë është mënyra se si rasti u kthye kundër tij.
Për vite me radhë, Keffe D kishte folur publikisht për natën e vrasjes, në intervista, dokumentarë dhe madje edhe në librin e tij të kujtimeve të publikuar më 2019.
Në librin e tij të vitit 2019, “Compton Street Legend”, Duane “Keffe D” Davis dha një rrëfim shumë të detajuar të asaj nate.
Ai pretendonte se, pasi Tupac dhe njerëzit e tij kishin rrahur nipin e tij Orlando Anderson në MGM Grand, grupi i Davis vendosi t’i kërkonte për hakmarrje. Davis tregonte se ndodhej në Cadillac-un e bardhë që iu afrua makinës së Tupac dhe Suge Knight. Detaji që i kushtoi shumë ishte arma: Davis shkroi se armën që kishte marrë ia kaloi në pjesën e pasme të Cadillac-ut, ku ndodheshin Orlando Anderson dhe DeAndre Smith. Pra, ai e vendoste vetë veten në makinë dhe e lidhte veten drejtpërdrejt me armën. Madje në libër përshkroi edhe sekondat para të shtënave, duke pretenduar se Tupac bëri një lëvizje drejt pjesës së poshtme të ulëses dhe se më pas një nga njerëzit në pjesën e pasme mori Glock-un dhe filloi të qëllonte.
Dhe bëhet edhe më e çuditshme: ai përshkroi se si pas ngjarjes e braktisën makinën me qira, u kthyen ta merrnin të nesërmen dhe, sipas rrëfimit të tij, e modifikuan para se ta kthenin, në mënyrë që provat forenzike të mos ishin më të besueshme.
Pra, “gropën” nuk ia bëri vetëm libri. Ai kishte folur edhe më herët me hetues dhe më pas vazhdoi të fliste publikisht në dokumentarë dhe intervista. Prokuroria në gjyqin e vitit 2026 përdori pikërisht deklaratat e tij publike, librin dhe incizimet e mëhershme si pjesë qendrore të çështjes
Ironia është se tani Davis thotë se rrëfimet publike ishin ekzagjerime për para dhe se librin në fakt e kishte shkruar ghostwriter-i.
Motivi, sipas prokurorisë, lidhej me atë që kishte ndodhur vetëm disa orë para atentatit. Tupac dhe njerëzit e tij ishin përfshirë në një përleshje në MGM Grand me Orlando “Baby Lane” Anderson, nipin e Davis. Prokurorët thanë se sulmi ndaj reperit që pasoi ishte hakmarrje për atë incident.
Tupac ishte vetëm 25 vjeç kur u qëllua më 7 shtator 1996 në Las Vegas. Ai vdiq gjashtë ditë më vonë. Tre personat e tjerë që dyshohet se ndodheshin në Cadillac atë natë kanë vdekur ndër vite, duke e lënë Davis si të vetmin të mbijetuar nga grupi i lidhur me makinën.
Dhe 30 vjet pas një vrasjeje që prodhoi teori të panumërta konspirative, çështja mori kthesën më të pazakontë: një nga njerëzit që foli më së shumti publikisht për atë natë, përfundoi duke u dënuar pikërisht me ndihmën e fjalëve të veta.
Davis përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm, ndërsa shqiptimi i dënimit është caktuar për 13 tetor. Mbrojtja ka paralajmëruar apelim.
/Prive By Liberta Spahiu


