Beatrix Ramosaj, ka vendosur të flasë publikisht për një situatë të vështirë me të cilën po përballet prej vitesh. Përmes një sërë reagimesh emocionale, por mjaft të prera, në rrjetet sociale, artistja ka zbuluar se është bërë viktimë e një përndjekjeje të vazhdueshme kibernetike nga i njëjti person për më shumë se pesë vite.

Sipas postimit të saj, përndjekësi ka arritur të krijojë më shumë se 200 profile të ndryshme në rrjetet sociale. Qëllimi i këtij personi ka qenë marrja e informacioneve mbi jetën e saj private, duke u shkruar në mënyrë të vazhdueshme anëtarëve të familjes, rrethit të saj shoqëror, si dhe personave që artistja ndjek në profilet e saj, me synimin për të “plotësuar me supozime” atë që nuk di.
Pavarësisht këtij shqetësimi të gjatë, Beatrix ka bërë me dije se, me kalimin e kohës, zemërimi i saj është kthyer në keqardhje. Ajo theksoi se jeta e saj e vërtetë vazhdon bukur dhe e qetë jashtë botës virtuale, ndërsa shtoi se askush nuk mund ta njohë me të vërtetë vetëm përmes asaj që zgjedh të publikojë në ekran. Beatrix e cilësoi këtë fiksim si një humbje të madhe kohe nga ana e përndjekësit, duke i uruar që të gjejë ndihmën e nevojshme profesionale për ta kaluar këtë gjendje.

Në përmbyllje të reagimit të saj, këngëtarja përcolli edhe një mesazh të fortë fuqizimi për ndjekësit e saj. Ajo u shpreh se zotëron plotësisht historinë, zgjedhjet dhe jetën e saj – me të gjitha të mirat dhe gabimet – dhe se kjo është fuqia e saj më e madhe.
Beatrix nënvizoi se asnjë sulm apo përpjekje për ta gjykuar nuk do të mund t’ia ndryshojë paqen e brendshme, duke iu bërë thirrje të gjithëve që ta mbrojnë dhe ta duan jetën e tyre. /Prive By Liberta Spahiu



