Parashqevi Simaku ka festuar 60-vjetorin e lindjes, duke ndarë me ndjekësit një fotografi pranë tortës së ditëlindjes dhe një mesazh që përmbledh shumëçka nga rrugëtimi i saj i pazakontë.

“Sot, 60 vite… një buzëqeshje në fytyrë, shumë kujtime pas meje dhe një zemër që ende beson te mrekullitë”, ka shkruar artistja.
E lindur më 1 shtator 1966 në Kavajë, Simaku u shndërrua në një prej zërave më të njohur të muzikës shqiptare të viteve ’80. Ajo fitoi dy herë Festivalin e Këngës në RTSH, në vitin 1985 me “Në moshën e rinisë” dhe në vitin 1988 me “E duam lumturinë”, ndërsa karriera e saj përfshiu festivale, koncerte dhe paraqitje të shumta televizive.
Në fillim të viteve ’90, Parashqevia u largua drejt Shteteve të Bashkuara. Atje vijoi të merrej me muzikë, këndoi në qytete si New York, Boston, Detroit dhe Chicago, ndërsa në vitin 1996 publikoi albumin në anglisht “Fly in My Temple”.
Por dekada më vonë, historia e saj do të merrte një kthesë që tronditi publikun shqiptar. Në dhjetor të vitit 2024, një reportazh i ABC7 New York nga Penn Station e filmoi Simakun teksa merrte një çantë me ndihma të shpërndara për persona të pastrehë. Fillimisht ajo ishte thjesht një prej personave të intervistuar, por shqiptarët e njohën dhe pamjet u përhapën me shpejtësi.
Pas publikimit të videos, komuniteti shqiptaro amerikan u mobilizua. Elton Ilirjani tregoi se e gjeti Simakun në Penn Station brenda dy ditësh dhe i siguroi fillimisht strehim në një hotel në Manhattan. Vetë ABC7 raportoi më pas se këngëtarja po merrte mbështetje nga komuniteti dhe se gjendja e saj po përmirësohej.

Në maj të vitit 2025, Simaku u shfaq sërish publikisht në një intervistë nga New Yorku, këtë herë nga apartamenti ku po jetonte. Ajo foli për jetën e saj, largimin nga Shqipëria dhe vitet e kaluara larg vëmendjes publike, përfshirë periudhën e vështirë kur kishte jetuar në qiell të hapur.
E sot, fotografia e saj me qirinjtë “60” mbi tortë duket pothuajse simbolike. Pas një karriere që e bëri ikonë, një largimi të gjatë nga publiku dhe një historie personale që riktheu emrin e saj në vëmendjen e gjithë shqiptarëve, Parashqevi Simaku hyn në dekadën e shtatë të jetës me fjalët e saj: një zemër që ende beson te mrekullitë. /Prive By Liberta Spahiu


