Në një qytet ku moda lëviz me ritmin e së ardhmes, Elton Ilirjani shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar.

Supermodeli shqiptar ishte pjesë e dy shfaqjeve të Global Fashion Collective, të prezantuara në kalendarin zyrtar të Rakuten Fashion Week Tokyo Spring/Summer 2027.

Dy pasarela, dy vizione krijuese dhe dy role që dëshmuan aftësinë e tij për t’u transformuar përmes modës.

Në shfaqjen e dizajnerit japonez SHINO, Eltoni ishte protagonisti i prezantimit. Me një paraqitje dramatike dhe teatrale, ai nuk e veshi thjesht krijimin, por u bë pjesë e narrativës së tij.
Çdo lëvizje dhe detaj i look-ut ndërtonin një figurë të fuqishme, thuajse kinematografike, duke e vendosur modelin shqiptar në qendër të vizionit artistik të koleksionit.

Në prezantimin e dizajnerit amerikan Perry Jones, atmosfera ndryshoi, por intensiteti mbeti i njëjtë. Eltonit iu besua dalja finale, momenti që vulos kujtesën e një koleksioni.
I veshur me një kostum të kuq me teksturë metalike, ai mbylli pasarelën me një paraqitje elektrizuese, elegante dhe tërësisht në kontrast me teatralitetin e SHINO.

Nga misteri avangard te shkëlqimi futurist, Elton Ilirjani dëshmoi edhe një herë se forca e tij qëndron te aftësia për të hyrë në botën e çdo dizajneri pa e humbur identitetin e vet.

Prania e tij në kryeqytetin japonez u dokumentua edhe nga Getty Images, përmes një seti fotografik të realizuar në rrugët e Ebisu gjatë javës së modës. Mes arkitekturës urbane dhe energjisë së Tokyos, Eltoni u shfaq si një figurë që e shndërron edhe qytetin në pasarelë.

Dy dizajnerë, dy estetika dhe dy role përcaktuese. Nga protagonisti i SHINO te finalja e Perry Jones, Tokyo u kthye në një tjetër kapitull të fuqishëm të suksesit ndërkombëtar të Elton Ilirjanit, një figurë shqiptare që vazhdon ta ndërtojë praninë e saj në modë me guxim, individualitet dhe një elegancë që nuk kalon pa u vënë re. /Prive By Liberta Spahiu



