“Pesë vite përndjekjeje, mbi 200 llogari të rreme dhe kontakte të vazhdueshme me familjen e miqtë e saj.” Beatrix Ramosaj ka bërë një nga rrëfimet më të forta të saj, duke zbuluar një situatë që, sipas këngëtares, ka kaluar prej kohësh kufijtë e rrjeteve sociale.
Në reagimin e publikuar dje, Trixa iu drejtua një personi që pretendon se e ka përndjekur dhe ngacmuar për më shumë se pesë vite përmes qindra profileve të rreme.
Por sipas saj, gjithçka nuk është ndalur vetëm tek mesazhet. Personi në fjalë dyshohet se ka kontaktuar familjarët dhe miqtë e Beatrix, duke u përpjekur të marrë informacione për të, madje duke hyrë në profile të ndryshme dhe duke krijuar bindjen se e njihte jetën e saj private.
“Ju dini vetëm atë që unë zgjedh të ndaj”, ishte mesazhi i Beatrix, e cila theksoi se jeta e saj e vërtetë ka vazhduar bukur edhe larg ekranit.
Pas më shumë se pesë vitesh, ajo thotë se nuk ndihet më as e zemëruar. Përkundrazi, shprehet se i vjen keq për personin dhe shpreson që ai të marrë ndihmën që i nevojitet.
“Unë zotëroj jetën time. Unë zotëroj historinë time”, shkroi ajo, duke shtuar se zgjedhjet e saj janë vetëm të sajat dhe se askush nuk mund t’i tregojë se çfarë duhet të jetë apo si duhet ta jetojë jetën.
Madje mesazhin e mbylli me një fjali të fortë, duke i kujtuar personit se pesë vite janë shumë për t’i humbur duke u marrë me jetën e dikujt tjetër.
Por pikërisht ky detaj, periudha prej pesë vitesh, ndezi menjëherë rrjetin.
Fansat nisën ta lidhnin rrëfimin me dramën e bujshme të Beatrix në Big Brother VIP Albania, e cila po ashtu daton rreth pesë vite më parë, duke sjellë komente, interpretime dhe sulme të shumta ndaj saj.
Dhe sot, Trixa është detyruar të sqarojë gjithçka.
“Jo ata duke e kthyer këtë në dramë të Big Brother. Interpretimi është i çmendur”, shkroi ajo, duke theksuar se bëhet fjalë për një person të vetëm që e ka përndjekur për vite me qindra llogari të rreme.
Dhe në fund e bëri të qartë pa asnjë hapësirë për interpretime: “Nuk ka absolutisht asgjë të bëjë me Big Brother”.
/Prive By Liberta Spahiu


