Sara Gjordeni, e cila është në pritje të ëmbël për herë të dytë, ka ndarë një mesazh të sinqertë dhe sensibilizues me ndjekësit.
Bardhi dhe Sara të cilët janë prindër të vajzës Nea, po përgatiten për zgjerimin e familjes, por kjo periudhë po shoqërohet me sfida shëndetësore për Sarën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shfaqet me elektroda mjekësore (EKG) në gjoks, Sara ka treguar se po përballet me shqetësime kardiake gjatë këtij rrugëtimi. Ajo ka ngritur shqetësimin se shtatzënia shpesh paraqitet vetëm si diçka idilike, duke anashkaluar vështirësitë reale që ndikojnë negativisht edhe në gjendjen psikologjike të nënave të reja.
“Shtatzëninë e romantizojnë shumë. Do doja më shumë gra e vajza të flisnin për problematikat që hasim gjatë saj për të ndërgjegjësuar nënat e reja të cilat përballen me simptoma që i dobësojnë psikologjikisht sepse nuk i prisnin. Ndoshta gjyshja, nëna, vjehrra apo shoqja të kanë shtyrë drejt këtij rrugëtimi që patjetër është i bukur, por duke anashkaluar një të vërtetë të madhe: vështirësitë shëndetësore. Unë momentalisht po përballem me ato kardiake. Nuk është aspak e lehtë, por për vogëlushën time gjithçka ia vlen,” ka shkruar ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Sara u ka dhënë kurajë të gjitha grave që mund të jenë duke kaluar të njëjtën situatë, duke i këshilluar të pushojnë dhe të mos e ngarkojnë veten:
“Mos u demoralizoni, 90% e simptomave largohen pas lindjes. Përpiquni të pushoni, hidratoheni dhe ushqeheni mirë. Kjo është një kohë për t’u shijuar dhe qetësuar, jo të tregoni sesa vleni duke ndezur dyfish motorët…”
/Prive By Liberta Spahiu



