Përfaqësuesit ligjorë të Samsung kanë kërkuar nga gjykata rrëzimin e padisë prej 15 milionë dollarësh të ngritur nga këngëtarja Dua Lipa, lidhur me përdorimin e paautorizuar të imazhit të saj në paketimin e një prej produkteve të kompanisë.
Në një parashtresë të re të dorëzuar të enjten, avokatët e Samsung argumentojnë se këngëtarja nuk ka bazë për të ngritur padi, pasi, sipas tyre, nuk ka asgjë që të sugjerojë se ajo mbështet apo promovon televizorët e kompanisë.
“Fotografitë thjesht paraqesin ndërfaqen e televizorëve në ekran, duke ilustruar aplikacionet dhe një shembull të përmbajtjes që mund të gjendet në televizor”, kanë deklaruar avokatët e Samsung.
Çështja lidhet me disa kuti televizorësh Samsung që përmbajnë një fotografi të Dua Lipës. Imazhi i këngëtares shfaqet në kuadër të promovimit të kanalit Xite Hits, i cili është pjesë e shërbimit Samsung TV Plus. Në paketim shfaqen gjithashtu logot e MLB, Fox Sports dhe serialit “The First 48”.

Samsung kishte deklaruar më herët se kishte marrë “siguri të qartë” nga një prej partnerëve të përmbajtjes se leja për përdorimin e imazhit ishte siguruar.
Kompania ka argumentuar se fotografia e Dua Lipës ishte përdorur gjatë vitit 2025 për të paraqitur përmbajtjen e partnerëve të saj të palëve të treta, e cila ofrohet përmes televizorëve Samsung. Sipas Samsung, imazhi ishte siguruar nga një partner i përmbajtjes dhe kompania e kishte përdorur atë vetëm pasi kishte marrë konfirmimin se lejet përkatëse, përfshirë edhe përdorimin në kutitë e produkteve, ishin siguruar.
Padia ndaj Samsung Electronics u dorëzua nga ekipi ligjor i Dua Lipës në një gjykatë federale në Kaliforni në muajin maj. Avokatët e këngëtares pretendojnë se kompania kishte vazhduar ta përdorte imazhin e saj edhe pas disa kërkesave për ndalimin e përdorimit.
Në padinë e saj, Dua Lipa e akuzon Samsung për shkelje të të drejtave të autorit, markës tregtare dhe të drejtës së publicitetit, duke pretenduar se imazhi i saj është përdorur pa autorizim në mënyrë komerciale.
Tashmë, Samsung i është drejtuar gjykatës me kërkesën që padia e ngritur nga këngëtarja të rrëzohet tërësisht.
/Prive By Liberta Spahiu


