Në një kohë kur suksesi shpesh matet me makinën që vozisim, telefonin që mbajmë në dorë, pushimet që bëjmë apo vendet ku dalim, është bërë më e vështirë të dallosh mes asaj që duket si mirëqenie dhe asaj që është realisht siguri financiare.
Sidomos tek të rinjtë, rritja e të ardhurave shpesh shoqërohet menjëherë me rritje të shpenzimeve. Dhe kështu, edhe pse paga mund të jetë më e mirë se disa vite më parë, në fund të muajit mund të mbetet shumë pak.
Këto janë shtatë gjëra që mund të duken si sukses, por në praktikë mund t’ju mbajnë financiarisht në vend.
1. Ta rrisni standardin e jetesës sa herë ju rritet paga
Një pagë më e lartë krijon ndjesinë se tashmë mund të përballoni më shumë. Problemi nis kur çdo rritje page shndërrohet menjëherë në më shumë dalje, rroba më të shtrenjta, telefon të ri apo pushime më luksoze.
Në këtë mënyrë, të ardhurat rriten, por kursimet jo.
2. Ta blini makinën për t’u dukur, jo për nevojat tuaja
Makina është një nga shpenzimet më të mëdha për shumë familje dhe të rinj. Por kostoja nuk ndalet te çmimi i blerjes.
Kësti, sigurimi, servisi, regjistrimi dhe karburanti mund ta bëjnë një veturë të shtrenjtë barrë mujore, edhe kur nga jashtë duket si simbol suksesi.
3. Të paguani gjithçka me këste
Një këst prej 50 apo 100 eurosh mund të duket i vogël. Por kur bëhen disa njëherësh, një pjesë e pagës së muajve të ardhshëm është shpenzuar ende pa ardhur.
Këstet mund të jenë të dobishme në raste të caktuara, por kur përdoren për çdo blerje, e bëjnë shumë më të vështirë kontrollin mbi buxhetin.
4. Të shpenzoni për një jetë që duket mirë në rrjete sociale
Restorantet, udhëtimet, rrobat dhe vendet që frekuentohen vetëm për t’u dukur mirë në Instagram mund të kthehen në një shpenzim të vazhdueshëm.
Krahasimi me të tjerët është veçanërisht i rrezikshëm, sepse në rrjete sociale zakonisht shohim rezultatin, jo borxhet, këstet apo kompromiset që mund të fshihen pas tij.
5. Të mendoni se paga e mirë ju bën automatikisht të pasur
Të ardhurat janë vetëm një pjesë e situatës financiare.
Një person mund të fitojë shumë dhe të mos ketë pothuajse asnjë kursim, ndërsa dikush me pagë më të ulët mund të ketë më shumë stabilitet sepse menaxhon më mirë shpenzimet.
Ajo që mbetet pasi paguani gjithçka është shpesh më e rëndësishme sesa shifra që hyn në llogari.
6. Të blini gjëra për të dëshmuar se ia keni dalë
Ora e shtrenjtë, telefoni i fundit, çanta apo makina mund të japin përshtypjen e suksesit.
Por ajo që shihet nga jashtë nuk tregon gjithmonë gjendjen reale financiare. Siguria financiare zakonisht është shumë më pak e dukshme: kursime, mungesë borxhesh të panevojshme dhe aftësia për të përballuar një shpenzim të papritur.
7. Të jetoni vetëm për sot
“Të rinj jemi vetëm një herë” është një fjali që dëgjohet shpesh dhe, deri diku, ka të drejtë.
Por problemi nis kur çdo e ardhur konsumohet menjëherë dhe e ardhmja lihet gjithmonë për më vonë. Edhe një shumë relativisht e vogël e kursyer vazhdimisht mund të krijojë më shumë siguri sesa duket në fillim.
Në fund, të kesh para dhe të dukesh sikur ke para janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Dhe ndonjëherë, njerëzit që duken më të pasur nuk janë ata që kanë më shumë, por ata që shpenzojnë më shumë për ta krijuar atë përshtypje.
/Prive By Liberta Spahiu.


