Princi Harry ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet e ndërlikuara me babanë e tij, Mbretin Charles III, dhe vëllain, Princin William.
Në një intervistë për revistën GQ, të realizuar në New York, Duka i Sussexit ka folur hapur për rëndësinë e pajtimit dhe lënies pas të së kaluarës, duke theksuar se dëshiron që marrëdhëniet familjare të marrin një drejtim më të mirë.
“Disa njerëz nuk duan që gjërat të funksionojnë. Unë dua që ato të funksionojnë. Me gjithçka tjetër që po ndodh në botë, gjëja më e rëndësishme është pajtimi – ky është thelbi”, është shprehur Harry.
Ai ka folur edhe për plagët që lënë pas konfliktet familjare, duke theksuar se, megjithëse ato mund të mbeten për një kohë të gjatë, mënyra se si njerëzit i përjetojnë dhe i përballojnë është e rëndësishme.
“Plagët mbeten përgjithmonë. Por mënyra se si i percepton gjërat dhe qëndrimi që mban ndaj asaj që ka ndodhur, si dhe aftësia për ta lënë të kaluarën pas, janë gjëra që do t’ia rekomandoja kujtdo”, ka thënë ai.
Intervista vjen në një periudhë kur vëmendja ndaj marrëdhënieve të Princit Harry me familjen mbretërore vazhdon të jetë e madhe. Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, u larguan nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2020, duke hequr dorë nga detyrat e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore.
Marrëdhëniet familjare u bënë edhe më shumë objekt diskutimi pas publikimit të librit autobiografik të Harryt, “Spare”, në të cilin ai rrëfeu për përplasjet dhe raportin e dëmtuar me vëllain e tij, Princin William.
Megjithatë, në intervistën e fundit, Harry duket i hapur ndaj mundësisë së afrimit. Zëdhënësi i çiftit Sussex ka sqaruar se deklarata e tij se “disa njerëz nuk duan që gjërat të funksionojnë” nuk ishte një sulm ndaj Williamit apo ndonjë anëtari tjetër të familjes mbretërore.
Duka i Sussexit ka pranuar gjithashtu se mosmarrëveshjet mes familjarëve janë një temë me të cilën shumë njerëz mund të identifikohen. Sipas tij, konfliktet mes vëllezërve e motrave, si dhe marrëdhëniet e vështira mes prindërve dhe fëmijëve, janë çështje për të cilat njerëzit i flasin shpesh.
Gjatë intervistës, Harry ka folur edhe për jetën familjare dhe rëndësinë që ka për të mundësia që fëmijët e tij, Archie dhe Lilibet, të përjetojnë një mjedis të ndryshëm, përfshirë mundësinë e arsimimit në një shkollë britanike.
“Fëmijët po e shijojnë këtë dhe kjo po u jep një përvojë krejtësisht tjetër”, ka treguar ai.
Princi ka komentuar edhe gjendjen shëndetësore të babait të tij, Mbretit Charles III, pas trajtimit për kancer, duke thënë shkurt: “Ai po bëhet më mirë”.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe nënës së tij, Princeshës Diana, e cila humbi jetën në vitin 1997. Harry ka treguar se tashmë është në gjendje ta mbajë kujtimin e saj përmes punës së tij, pa lejuar që dhimbja e humbjes ta pengojë në jetën e përditshme.
“E dua faktin që tani mund ta mbaj kujtimin e nënës sime përmes punës sime, në vend që ai të më rëndojë, të më mbajë prapa apo të më lërë të zhytur në dhimbje”, ka deklaruar ai.
Në fund, Harry ka theksuar se nuk kërkon mëshirë nga publiku, duke vënë në dukje se ka pasur mbështetje dhe ka punuar me veten përmes formave të ndryshme të terapisë. /Prive By LS


