Ajsel Abazi ka thyer heshtjen përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, duke adresuar publikisht marrëdhënien e saj me ish-partnerin, futbollistin Eros Grezda.
Ky reagim vjen një muaj pas ditëlindjes së djalit të tyre, Kian, dhe zbulon detaje të pathëna mbi vështirësitë e tyre në bashkëprindërim pas ndarjes, e cila ndodhi vetëm pak muaj pasi vogëlushi erdhi në jetë.
Ajsel nisi shkrimin e saj duke shpjeguar se nuk ka qenë kurrë ithtare e nxjerrjes së jetës private në rrjetet sociale:
“Kam besuar gjithmonë se disa gjëra duhen zgjidhur larg syve të të tjerëve. Por ka momente kur heshtja nuk është më forcë, sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë që nuk ka zë për të treguar atë që ndien”.
Ajo sqaroi se ky reagim nuk bëhet për hakmarrje apo vëmendje:
“Nuk më shqetëson fakti që babi i Kianit ka zgjedhur të vazhdojë jetën e tij apo që ka një partnere të re. Çdo njeri ka të drejtë të gjejë lumturinë e tij. Ajo që më dhemb është kur krijimi i një jete të re bëhet arsye që fëmija të mos jetë më prioritet.”

Në rrëfimin e saj, ajo tregoi se dëshironte shumë që djali të kishte dy prindër që bashkëpunonin me respekt, por kufijtë mes rolit si prindër dhe marrëdhënies si ish-partnerë nuk po respektoheshin:
“Prandaj zgjodha që komunikimi mes nesh të kufizohej. Jo nga inati, jo nga krenaria dhe as për të ndëshkuar dikë, por sepse besoj se kjo ishte mënyra më e shëndetshme për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e djalit tonë.”

Ajsel bëri një dallim të fortë mes të qenurit prind biologjik dhe prind i pranishëm, duke shtuar se dashuria e fëmijës nuk matet me dhurata:
“Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin. Fatkeqësisht, ka raste kur prioritetet ndryshojnë, ndërsa fëmija mbetet duke pritur.”

Akuzat kryesore dhe më konkrete lidhen me mungesën e Grezdës në ditëlindjen e 3-të të Kianit. Sipas Ajselit, futbollisti ka munguar në festë, ndonëse vetëm dy ditë më parë kishte qenë në Tiranë me partneren e tij të re.
“Të mungosh në 3 vjetorin e ditëlindjes së djalit tënd… është një mungesë që nuk mbulohet me justifikime. Të gjesh kohë për dy javë pushime, por të thuash se nuk ke mundësi ta marrësh djalin tënd qoftë edhe për disa ditë ne plazh, është një zgjedhje. Te takosh fëmijën vetëm një herë në muaj… është një zgjedhje. Edhe më e dhimbshme është kur premton se do të vish dhe nuk e mban fjalën, sepse një fëmijë pret me zemër, jo me kalendar.”

Ajo që e ka lënduar më së shumti Ajselin ka qenë prezantimi i partneres së re te fëmija 3-vjeçar:
“Kulmi i gjithçkaje është kur një fëmijë vetëm 3 vjeç i prezantohet një person i ri si ‘gruaja e babit’, në një kohë kur ai ende po përpiqet të kuptojë mungesën e vetë babait”.
Ajo shtoi se ky nuk është një konkurs për rrjetet sociale: “Ky nuk është një konkurs se kush ka më shumë foto apo video. Është një reflektim mbi rëndësinë e pranisë së përditshme në jetën e një fëmije.”
Në mbyllje të reagimit, Ajsel saktësoi se pavarësisht zhgënjimeve të saj, djalin e ka rritur gjithmonë me dashuri dhe respekt për babain e tij. Ajo theksoi se gjithçka që shkroi bazohet në përjetimet dhe komunikimet e tyre private në WhatsApp, me shpresën se ky shkrim do të shërbejë si një reflektim:
“Nëse ky shkrim bën që qoftë edhe një prind i vetëm të reflektojë dhe të zgjedhë të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijës së tij, atëherë ai e ka arritur qëllimin.”
/Prive By Liberta Spahiu






