Reperi i njohur shqiptar, Getinjo, dhe partnerja e tij, Era Berisha, po shijojnë ditët e tyre të nxehta të verës në maksimum.
Dyshja, të cilët kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave rozë kohët e fundit, janë arratisur së bashku për të kaluar disa ditë pushimi larg zhurmës së përditshme.
Ka qenë vetë Era ajo që ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale disa foto mjaft romantike krah reperit. Në imazhet e publikuara, ku shihen të dy të qeshur në një xhiro me varkë përgjatë një plazhi përrallor, ajo ka shkruar me shaka: “Pak deti pak na ma shume ata se na”.
Ndërkohë, përmes disa postimeve në InstaStory nga ana e Getinjos, është lënë të kuptohet se çifti ka përzgjedhur Greqinë si destinacionin e tyre të këtij udhëtimi.
Kujtojmë se romanca e tyre nuk është më një sekret. Ndonëse lidhjen e bënë publike jo shumë kohë më parë, emisioni ynë muaj më parë, përmes rubrikës “E vërtetë, e pavërtetë”, raportoi se vajza që i kishte rrëmbyer zemrën Getinjos ishte pikërisht Era Berisha.
Era nuk është një emër krejtësisht i panjohur për publikun. Ajo është një personazh mjaft i popullarizuar dhe aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht në platformën TikTok, ku gëzon një audiencë të gjerë që e ndjek hap pas hapi.
Pushime të mbara çiftit! /Prive By Liberta Spahiu


