Një finale e veshur në rozë, tingujt e “E duam lumturinë” dhe Fern Mallis mes të ftuarve: prezantimi i “REMEMBER AW27” në New York Fashion Week mori edhe një dimension të veçantë shqiptar, përmes një homazhi kushtuar Parashqevi Simakut.

Koleksioni i Poet-Lab, nga Giuseppe Iacofano dhe i prezantuar nën produksionin e Global Fashion Collective, u konceptua rreth idesë së kujtesës – historive, imazheve dhe figurave që vazhdojnë të jetojnë përtej kohës.
Në këtë narrativë hyri edhe historia e Parashqevi Simakut. Ishte Elton Ilirjani ai që i tregoi Iacofanos për këngëtaren shqiptare dhe për lidhjen e veçantë që publiku në Shqipëri dhe Kosovë vazhdon të ketë me të.
Raporti i stilistit me Shqipërinë kishte nisur më herët. Gjatë një vizite në vend, Iacofano dhe Eltoni kishin realizuar së bashku disa photoshoots në lokacione ikonike shqiptare, duke krijuar një lidhje që këtë herë u zhvendos në runway-n e New York-ut.
Që në hapje, shfaqja mbante gjurmët e Parashqevi Simakut. Dy fjali nga një intervistë e saj e viteve ’90 u përdorën në prezantim, ndërsa një fotografi e këngëtares duke performuar në vitet ’80 ishte përfshirë në moodboard-in e koleksionit.
Finalja ishte momenti ku referenca shqiptare mori formën më të qartë. Elton Ilirjani u shfaq në runway me një fustan rozë, me një siluetë eterike, ndërsa në sfond u dëgjua një fragment nga “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës.
Një interpretim që nuk tentoi të rikrijonte të shkuarën, por ta sillte atë në një kontekst të ri – përmes modës, kujtesës dhe simbolikës.
Në sallë ishte edhe Fern Mallis, themeluesja e New York Fashion Week dhe një prej figurave kyçe të industrisë amerikane të modës, e cila ndoqi prezantimin së bashku me një drejtues të CFDA-së.

Nga një imazh i Parashqevi Simakut i ruajtur prej dekadash, deri te dritat e runway-t në New York, “REMEMBER AW27” e solli një fragment të memories shqiptare në një prej skenave më të njohura të modës botërore.
Fotografitë: Getty Images / Arun Nevader
Poet-Lab: Giuseppe Iacofano


