Gjumi nuk varet vetëm nga ora kur shkojmë në shtrat. Ajo që bëjmë gjatë orëve të fundit të mbrëmjes mund të ndikojë në sa shpejt flemë, sa shpesh zgjohemi dhe si ndihemi mëngjesin tjetër.
Disa zakone duken krejt të padëmshme, por mund ta bëjnë pushimin gjatë natës shumë më të vështirë.
1. Mos pini kafe shumë vonë
Kafeina mund të qëndrojë në organizëm për shumë orë. Kjo do të thotë se kafja e pasdites ose e mbrëmjes mund të vazhdojë të ketë efekt edhe kur jeni shtrirë për të fjetur.
Dhe kafeina nuk gjendet vetëm në kafe: çaji, pijet energjike, cola dhe çokollata mund të përmbajnë sasi të saj.
2. Mos qëndroni në telefon deri në momentin e fundit
Një video bëhet dhjetë dhe pesë minuta në TikTok apo Instagram mund të kthehen lehtësisht në një orë.
Përveç dritës së ekranit, vetë përmbajtja, njoftimet dhe dëshira për të vazhduar scroll-in mund ta mbajnë trurin aktiv pikërisht kur duhet të qetësohet.
3. Mos hani një vakt shumë të rëndë menjëherë para gjumit
Një darkë e bollshme shumë pranë orës së gjumit mund të sjellë parehati, fryrje ose urth te disa njerëz.
Kjo nuk do të thotë se duhet të shkoni të uritur në shtrat, por një vakt i madh pak para se të shtriheni nuk është zgjedhja ideale.
4. Mos përdorni alkoolin si mënyrë për të fjetur
Alkooli mund t’ju bëjë të ndiheni të përgjumur në fillim, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht gjumë më cilësor.
Ai mund ta fragmentojë gjumin gjatë natës dhe t’ju bëjë të zgjoheni më shpesh.
5. Mos filloni punë kur duhet ta mbyllni ditën
“Vetëm edhe një email” mund ta rikthejë mendjen menjëherë në modalitet pune.
Nëse kontrolloni email-et, detyrat apo problemet e ditës sapo futeni në shtrat, bëhet më e vështirë të krijoni një ndarje mes punës dhe pushimit.
6. Mos bëni debate të mëdha në shtrat
Një diskutim emocional pak para gjumit mund t’ju lërë duke analizuar çdo fjali edhe pasi biseda ka përfunduar.
Jo çdo problem duhet zgjidhur në mesnatë. Kur është e mundur, temat e rënda mund të presin deri kur të dyja palët janë më të qeta dhe të pushuara.
7. Mos e ndryshoni vazhdimisht orarin e gjumit
Të flini në orën 23:00 një natë, në 02:00 tjetrën dhe shumë më vonë gjatë fundjavës mund ta bëjë më të vështirë ruajtjen e një ritmi të qëndrueshëm.
Trupi funksionon më mirë kur gjumi dhe zgjimi ndodhin afërsisht në të njëjtat orare.
Në fund, një gjumë më i mirë nuk fillon kur mbyllni sytë. Fillon me mënyrën se si i kaloni orët para se të futeni në shtrat.
/Prive By Liberta Spahiu.


