Republikës së Kosovës i është shtuar një kapitull i ri shtetëror me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulas në postin e Presidentes, duke u bërë kështu gruaja e tretë në histori që merr timonin e shtetit, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit. Me një karrierë të bujshme disa-dekadëshe, Shiroka-Pula vjen në krye të Presidencës si një figurë me peshë të madhe akademike, politike e institucionale.
Bija e një prej filigranistëve më të shquar të Kosovës: Kush është Justina Shiroka-Pula?

E lindur në Prishtinë në vitin 1953, ku kreu shkollimin e hershëm, ajo ndoqi rrugën e shkencave ekonomike. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976, për të vijuar më pas studimet magjistrale në Zagreb në vitin 1984.
Doktoratën e mbrojti në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Ajo i përkushtoi dekada të tëra arsimit të lartë si profesoreshë ordinare në UP, ndërsa në dhjetor të vitit 2025 shënoi histori duke u zgjedhur si e para grua në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Përvoja e saj shtetërore e politike përfshin gjithashtu detyra të larta ekzekutive dhe ligjvënëse. Gjatë viteve 2008–2011, ajo shërbeu si Ministre e Energjisë dhe Minierave, duke drejtuar një nga sektorët më strategjikë në vitet e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Më pas, nga viti 2011 deri më 2014, ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Përtej profilit të saj publik, emri i Justina Shiroka-Pulas mban me vete edhe një trashëgimi të çmuar kulturore. Ajo është e bija e Simon Shirokës, një prej artistëve dhe filigranistëve më të shquar të Kosovës e Prizrenit, i cili njihet si pionieri që e ngriti artin e filigranit në art pamor modern. Respektin për figurën e të atit, Justina e ka jetësuar edhe përmes botimit të një monografie të veçantë ku dokumenton jetën dhe veprën e tij artistike. /Prive By Liberta Spahiu
Leave a Comment

