Vetëm pak javë para se të bëhej Presidente e Kosovës, Justina Shiroka-Pula humbi bashkëshortin. Por, vite më parë, një vendim shtetëror gati sa nuk i dha fund martesës së tyre!
Dje, akademikja e njohur u inaugurua në krye të shtetit, pas një karriere të gjatë e të suksesshme si ekonomiste dhe profesoreshë universitare.
Ajo bëri histori edhe si gruaja e parë që udhëhoqi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Por, këto fotografi të rralla na kthejnë shumë vite pas, te një tjetër Justina!
Ishte vetëm 23 vjeçe kur u martua me Blerim Pulën, më 7 maj 1977, pas afro pesë vjetësh lidhjeje.
Në një intervistë për revistën “Teuta”, ajo kujtonte dasmën me rreth 200 të ftuar, ku veten e përshkruante si nuse moderne, por modeste.
E kur Justina ishte ministre e Energjisë, Blerimi, me profesion inxhinier, kundërshtonte fuqishëm projektin fillestar të termocentralit “Kosova e Re”.
Sipas rrëfimit të saj, ai madje e kishte paralajmëruar se, nëse nënshkruante projektin prej dy mijë megavatësh, do t’i merrte fëmijët dhe do të largohej nga Kosova.
Blerimi ndërroi jetë më 26 gusht, duke lënë pas një histori dashurie gati gjysmëshekullore.
E vetëm pak javë më vonë, jeta i rezervoi Justinës një kapitull krejt tjetër, këtë herë në krye të shtetit.
Që në ditët e para, presidentja e re ka nisur të fitojë simpatinë e qytetarëve, të cilët në rrjetet sociale po e vlerësojnë për energjinë pozitive, elegancën dhe personalitetin e saj.
Pas dekadash të tëra përkushtimi ndaj dijes dhe institucioneve, Justina nis kështu një kapitull të ri në shërbim të Kosovës, me një përvojë të pasur pas vetes dhe me një pritje të ngrohtë nga qytetarët që në hapat e parë të mandatit të saj. /Prive By LS
View this post on Instagram


