Këngëtarja Blerina Matraku ka folur për herë të parë në një intervistë televizive për marrëdhënien e saj me kompozitorin Adrian Hila, pas situatës së rëndë të krijuar nga publikimi i videove intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjet.
Në një bisedë të sinqertë, katër sy me Ori Nebijajn në emisionin “Goca dhe Gra”, artistja ka rrëfyer detaje të panjohura nga raporti me kompozitorin, duke pranuar se kishte qenë e dashuruar dhe se, për një kohë të gjatë, e kishte idealizuar figurën e tij.
“Unë jam e tradhtuar në këtë mes. Jam e përdorur, e shitur si figurë që ai e krijoi”, është shprehur Matraku, duke treguar se Hila kishte ndikuar edhe në zhvillimin e saj profesional.
Ajo pranoi se kompozitori e kishte ndihmuar të rritej profesionalisht dhe se marrëdhënia mes tyre ishte ndërtuar mbi një besim të madh. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, ishte e paimagjinueshme që një njeri të cilin e kishte vlerësuar aq shumë të tregonte një papërgjegjshmëri të tillë lidhur me kamerat në ambientet private.
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit iu kushtua edhe sistemit të kamerave, për ekzistencën dhe funksionimin e të cilit këngëtarja pretendon se nuk kishte qenë në dijeni.
“Unë e dija sistem alarmi. Nuk e dija që ishte kamerë sigurie, meqë kishte pasur vjedhje”, ka deklaruar ajo.
Matraku ka kujtuar edhe një bisedë të vitit 2022, kur Hila i kishte folur për planet e tij për t’u shkëputur nga muzika dhe për të krijuar një ambient të ri në Tiranë, ku do të kishte edhe studion personale.
Sipas këngëtares, kompozitori i kishte shpjeguar se në atë hapësirë dëshironte të priste njerëzit e afërt dhe miqtë që kishte për zemër.
“Ti e ke derën hapur tek unë”, kujton ajo t’i ketë thënë Hila, duke shtuar se në atë moment ishte prekur emocionalisht, pasi e kishte interpretuar ftesën si një shenjë të miqësisë dhe vlerësimit që ai kishte për të.
Një tjetër detaj i rëndësishëm i intervistës lidhej me statusin martesor të kompozitorit.
Blerina ka deklaruar se gjatë marrëdhënies së tyre kishte besuar se Hila ishte i ndarë nga bashkëshortja. Sipas saj, në momentin kur kishte kuptuar se kjo nuk ishte e vërtetë, kishte vendosur të tërhiqej nga raporti.
“Jam e penduar për marrëdhënien që krijova me këtë njeri”, është shprehur këngëtarja, duke mos i fshehur emocionet dhe zhgënjimin nga gjithçka që ka ndodhur.
Ky rrëfim vjen pas reagimeve të mëhershme publike të artistes, e cila kishte kërkuar ndalimin e shpërndarjes së materialeve intime, duke folur për pasojat e rënda që situata ka shkaktuar në jetën e saj personale dhe familjare.
Përmes intervistës me Ori Nebijajn, Blerina ka sjellë për herë të parë në ekran versionin e saj më të plotë të historisë, nga ndjenjat dhe besimi që kishte pasur te kompozitori, deri te zhgënjimi dhe pendesa që, sipas saj, e shoqërojnë sot.
/Prive By LS


