Përplasja mes Amarildo Bakajt dhe Drilon Ramës nuk ka të ndalur. Pas deklaratave të ashpra të ditëve të fundit, boksieri nga Shqipëria ka bërë një tjetër provokim publik ndaj fituesit të Big Brother VIP Kosova 3.
Këtë herë, Amarildo ka publikuar një fotografi të krijuar me inteligjencë artificiale, ku ai shfaqet i ulur në një fron mbretëror, ndërsa Driloni paraqitet në gjunjë pranë tij, me një zinxhir rreth qafës. Imazhi me përmbajtje poshtëruese është shoqëruar me një mesazh sfidues.
“Mendoni që Amarildo Bakaj ka frikë?”, ka shkruar ai, duke pretenduar se Driloni po e kërkon këtë përballje për të fituar famë.
Por, përtej provokimit, Bakaj ka bërë të ditur se e pranon sfidën për një meç boksi, duke vendosur disa kushte të qarta.
Sipas tij, përballja duhet të zhvillohet si ndeshje e mirëfilltë profesionale, e regjistruar zyrtarisht pranë federatave përkatëse, dhe jo si një spektakël argëtues.
Kushti më interesant lidhet me paratë. Amarildo kërkon që fituesi të marrë të gjithë shumën financiare të përcaktuar për ndeshjen, ndërsa humbësi të largohet pa asnjë euro nga ajo shumë.
Kujtojmë se përplasja mes dy boksierëve ka nisur muaj më parë, ndërsa tensionet u rikthyen fuqishëm pas intervistës ekskluzive të Drilonit për Prive By LS, ku ai foli për raportin me Amarildon dhe mesazhet që pretendon se kishte marrë prej tij.
Vetëm një ditë më parë, dyshja shkëmbeu akuza të rënda në rrjetet sociale, me Drilonin që vuri në dyshim karrierën sportive të Amarildos, ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj me deklarata të ashpra personale.
Tashmë, me pranimin publik të sfidës dhe kushtet e vendosura nga Bakaj, mbetet të shihet nëse Driloni do t’i pranojë ato dhe nëse kjo përplasje disamujore do të përfundojë vërtet në ring.
Deri tani, nuk ka një datë apo marrëveshje zyrtare për organizimin e ndeshjes. /Prive By LS


