Publiku është mësuar ta shohë plot energji në skenë, por këtë herë Hadise ka treguar një anë krejt tjetër të vetes.
Këngëtarja e njohur turke ka hapur zemrën në një intervistë për emisionin ABtalks, ku ka folur për plagët e së kaluarës, marrëdhëniet e komplikuara familjare, dashurinë dhe një dëshirë të madhe që ende nuk e ka realizuar.
Një nga momentet më emocionale të bisedës ishte rrëfimi për ndarjen e prindërve. Hadise kujtoi periudhën kur ishte ende fëmijë dhe momentin kur e kishte ndihmuar babanë të përgatiste valixhet për t’u larguar nga shtëpia.
Një kujtim që, edhe pas kaq shumë vitesh, duket se vazhdon të ketë peshë të veçantë për këngëtaren.
Por historia familjare nuk përfundon këtu.
Hadise foli edhe për marrëdhënien e ndërprerë me motrën e saj, Hülya Açıkgöz, e cila për një periudhë kishte qenë edhe menaxherja e këngëtares.
Ajo pranoi se prej kohësh nuk komunikojnë me njëra-tjetrën, duke treguar se mosmarrëveshjet mes tyre kanë lënë gjurmë të thella.

Megjithatë, pavarësisht distancës dhe gjithçkaje që ka ndodhur, Hadise theksoi se dashuria për motrën nuk është shuar. Madje, u shpreh se nëse Hülya do të kishte nevojë për të, do t’i qëndronte pranë.
Gjatë intervistës, artistja tregoi gjithashtu se ka kërkuar ndihmë profesionale për të përballuar disa prej përvojave të vështira familjare.
Por mes rrëfimeve për të kaluarën, Hadise foli edhe për të ardhmen, duke zbuluar një nga dëshirat e saj më të mëdha: të bëhet nënë.
Këngëtarja u shpreh se dëshiron të ketë fëmijë, madje idealisht një vajzë dhe një djalë.
Ajo tregoi se dikur ëndërronte një familje shumë të madhe, me gjashtë fëmijë, ndërsa tani dëshiron të ketë të paktën dy fëmijë biologjikë.
Hadise nuk e fshehu as dëshirën për t’u martuar përsëri. Ndonëse aktualisht nuk është në një lidhje, artistja beson se një martesë e re mund të ndodhë më shpejt sesa të tjerët e mendojnë.
Madje, ajo ka menduar edhe për mënyrën se si do ta organizonte jetën nëse do të bëhej nënë.
Këngëtarja tregoi se dëshiron ta përjetojë plotësisht shtatzëninë dhe periudhën pas lindjes, duke mos e përjashtuar mundësinë e një pauze nga karriera për t’iu përkushtuar fëmijëve.
Pas një karriere të gjatë, me suksese të shumta dhe një jetë private që shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes, Hadise duket se e sheh krijimin e familjes si një nga kapitujt që dëshiron të hapë në të ardhmen.
Intervista e saj në ABtalks solli kështu një Hadise ndryshe nga ajo që publiku njeh në skenë, një grua që, krahas suksesit profesional, nuk i fsheh më plagët e së kaluarës dhe ëndrrat që dëshiron t’i realizojë. /Prive By LS


