Ngjarjet e mbrëmshme në Tiranë, ku protesta e studentëve u përshkallëzua në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, kanë sjellë reagime të shumta edhe nga figurat publike.
Mes tyre është edhe Luiz Ejlli, i cili ka zgjedhur të mos qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve që tronditën kryeqytetin shqiptar.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtari ka ndarë një mesazh të gjatë, ku në qendër ka vendosur mënyrën se si institucionet trajtojnë qytetarët dhe pasojat që, sipas tij, lënë pas ngjarje të tilla.
“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, ka shkruar Luizi.
Por mesazhi i tij nuk është ndalur vetëm te përplasjet e regjistruara në rrugët e Tiranës. Artisti ka folur edhe për dhimbjen që mbetet larg kamerave, duke e zhvendosur vëmendjen tek ata që, siç shprehet ai, janë larguar nga vendi dhe tek të rinjtë që kërkojnë një të ardhme më të mirë.
“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”, është një tjetër pjesë e reagimit të tij.
Kujtojmë se protesta e 13 tetorit, e organizuar për të ngritur shqetësimet lidhur me kushtet në universitete dhe perspektivën e të rinjve, u shoqërua me dëmtime të institucioneve, ndërhyrje policore dhe persona të lënduar. Pas publikimit të pamjeve të trajtimit të një 19-vjeçari të dëmtuar, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e pesë zyrtarëve dhe nisjen e verifikimeve për rastin.
Në përfundim të reagimit, Luizi ka zgjedhur t’u drejtohet të lënduarve me një lutje, duke uruar shërimin e tyre dhe duke kërkuar që ajo që ndodhi të mos harrohet me kalimin e ditëve.
“Lutem Zotit që t’i japi forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar këngëtari. /Prive By LS



